Poeti Robert Shkurti ka lindur në vitin 1962. Librin e parë "Nën qiellin e shqiponjave", e ka shkruar në emigracion me tregime nga Shqipëria e postdiktaturës.

Pas këtij botimi të vitit 2010, ai ka botuar në prozë 3 romane, përfshirë librin "Luftë dhe tragjedi në Suharekë", ku i bën jehonë luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri.

Pas grumbullimit të përvojës së duhur artistike, Robert Shkurti i kthehet poezisë, duke botuar vëllimet "Regetime det" dhe "Ajër shprese", ku vendin kryesor e zënë lirikat.

Më pas, duke kërkuar perfeksionin Roberti lëvron një lloj gjinie të vështirë poezie duke dalë në një vëllim të ri me titull "Psherëtima dallgësh", ku përsëri motivet durrsake zënë korpusin kryesor të vëllimit.

Sa herë ai vjen në Durrës, i rikthehet vendeve të dashura për të, pranë bregdetit ku edhe qëmton motive të reja që në Itali do t’i riktheje më pas në art krijues.

Kritika ka vërejtur se Robert Shkurti e njeh shumë mirë artin e të shkruarit. Njohuritë kulturore, përvojat e jetës dhe zotësija për t’i përcjellë me etikë, ndjeshmëri dhe mjeshtëri te lexuesi, janë faktorë tregues të individualitetit të afirmuar artistik të autorit të talentuar të qytetit tonë.

K.H.