Ditën e djeshme është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, Gaqo Çako.
Pas lajmit të vdekjes së tij kanë qënë të shumta reagimet në rrjet, ku një ndër to ishte edhe ai i kryeministrit Rama, i cili u shpreh se artisti la pas një emër që do t’i mbetet historisë së të kënduarit shqip.
Homazhet për ‘Nderin e Kombit’ do të zhvillohen gjatë ditës së sotme në orën 11:00 deri në 12:00 në hollin e Muzeut Kombëtar, ku figura e shquar pritet të nderohet nga personalitete të shqura të artit dhe nga qytetarë të thjeshtë, dashamirës të artit të tij.
Mjeshtri i madh u shua mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e tij në Tiranë, ku jetonte së bashku me bashkëshorten, artisten Luiza Çako. Ai është babai i kantautorit të njohur Pirro Çako.
Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935. Fëmijërinë e kaloi në Korçë, aty ku serenatat nuk reshtën asnjëherë së kënduari. Më pas u vendos në Kuçovë, ku dhe spikati nëpër aktivitetet në shtëpinë e kulturës, ku edhe i dhanë të drejtën për studime në Liceun Artistik. Adoleshencën e kaloi në Tiranë. Në vitet 1957 dhe 1961 studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.