Për herë të parë në historinë e kombëtares belge ata mundën të renditeshin të tretët në një kupë botë pasi arritën të mposhtin në finalen e vogël Anglinë. Diçka historike për “Djajtë e Kuq” të Europës, që treguan shpirt gare, por edhe nivel të lartë loje.

Nuk kishte se si të mos ishte i lumtur për këtë sukses tekniku i Kombëtares Belge, Roberto Martinez i cili në konferencën për shtyp u shpreh se një arritje e tillë do të lërë gjurme përjetësisht në historinë e futbollit belg.

“Arritën të renditeshim në vendin e tretë, që është diçka historike për të gjithë ne dhe popullin belg. Ky sukses do të mbetet gjithmonë në histori. Është e vështirë të humbasësh një ndeshje gjysmëfinale siç na ndodhi kundër Francës, por e lamë pas këtë moment dhe arritën të fitonim përballë Anglisë. Ndeshjen kundër tyre e pamë si një mundësi të artë që nuk deshëm ta linim të na shpëtonte. Tani duam t’i kënaqemi këtij momenti”, deklaroi spanjolli.

I pranishëm në konferencë ishte edhe Eden Hazard protagonist absolut për djajtë si dhe autori i golit të dytë në sfidën kundër Anglisë. Edhe sulmuesi i Chelsea-t u shfaq tepër i lumtur për këtë arritje.

“Kemi hyrë në histori sepse kjo është hera parë që arrijmë vendin e tretë në një kupe bote. Jam shumë krenar për të gjithë shokët e skuadrës dhe për vendin tim. Jam i lumtur që luaj për këtë kombëtare. Do të jemi akoma edhe më të fortë pas dy ose tre vitesh. Sigurisht gjysmëfinalja e humbur na ka lënë shije të hidhur, por tashmë është momenti të shohim përpara dhe shpresoj të na presin ditë më të mira”, tha Hazard.