Vetëm, pak ditë më parë, klubi grek i Superligës, AEL Larissa kishte njoftuar në faqen e tij zyrtare se kishte arritur marrëveshjen për transferimin e mesfushorit shqiptar, Idriz Batha.
Gjithsesi duket se gjithçka është anuluar tashmë dhe ish kapiteni i Partizanit do të duhet të kërkojë për një tjetër skuadër u të vijojë karrierën.Besojeni ose jo, por shkaku kryesor i anulimit të marrëveshjes ka qenë një foto në internet e mesfushorit, që shfaqet duke bërë me duar shqiponjën dykrenare të flamurit shqiptar.Kjo sqarohet edhe në tekstin e mesazhit që drejtori sportiv i klubit grek, i ka dërguar menaxherit të futbollistit, ku e njofton për anulimin e marrëveshjes.“Arsyeja kryesore e prishjes së kësaj marrëveshjeje është se ne kemi parë një foto të lojtarit në internet, ku bën me duar simbolin e Shqipërisë së Madhe. Kjo është diçka e papranueshme për ne sepse kemi shumë lojtarë serbë në skuadër dhe për më tepër, Shqipëria e Madhe përfshin pjesë nga Rajoni i Maqedonisë në Greqi, gjë që zhgënjen edhe fansat tanë”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e drejtorit të AEL Larissas, Vassilis Vanis.Batha shfaqet i zhgënjyer për këtë fyerje që i kanë bërë atij. Tashmë çështja pritet të shkojë në FIFA. Kontrata mes palëve është firmosur.
“Është fyerje shumë e madhe. Realisht ndihem shumë i fyer për këtë. Unë shqiptar nuk u bëra pasi firmosa te Larisa… Shqiptar isha edhe kur firmosa atje. Nuk mund të sillet kështu një klub profesionist. Më kanë cenuar rëndë imazhin dhe besoj se kjo çështje do të shkojë në FIFA. Është e papranueshme. Do të shoh se çfarë do të bëjë agjencia që e mori përsipër transferimin. Shpresoj shumë që të kemi letrat në rregull dhe të shkojmë në FIFA. Më kanë cenuar imazhin, pa të drejtë. E dinin që isha shqiptar që në fillim, nuk mund të silleshin kështu. Dhe sa për atë punën që ‘kanë më shumë serbë në ekip dhe ndihen keq që unë kam bërë shqiponjën’, po ju them se edhe unë kam pasur serb te Partizani, madje aq të mira i kishim marrëdhëniet, saqë Racic bënte shqiponjën me ne… Kjo nuk ka lidhje fare. Unë e përsëris: jam shumë krenar që jam shqiptar dhe nëse kanë pasur hallin e shqiponjës, më mirë që shkoi kështu.
“A jam bërë pishman për postimet? Asnjëherë. E theksoj, jam shqiptar dhe jam në të drejtën time të bëj apo të krenohem me simbolet e vendit tim. Nuk kam provokuar askënd dhe nuk mendoj se ato duhet të konsiderohen provokim për dikë. Nëse te Laria kanë problem me shqiponjën, atëherë më mirë që shkoi kështu”, ka thënë mes të tjerash Batha.





