Iniciativat e artistëve për të qënë sa më afër publikut janë të shumta në Durrës. Në qytetin bregdetar, prej disa muajsh, është ngritur dhe funksionon mirëfilli ansambli artistik “Teuta”, i cili ka marrë emrin e mbretëreshës antike durrsake.

Ky ansambël ka marrë pjesë në disa festivale dhe aktivitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime e tituj nderi si në Kosovë, në festivalin e organizuar në Përmet për nder te instrumentistit Laver Bariu etj.

Grupi artistik “Teuta” përbëhet nga 15 vetë dhe po punon për t’u zgjeruar me këngëtarë dhe instrumentistë të rinj të talentuar si dhe ka në projekt një axhendë me veprimtari të reja të ngjeshura brenda dhe jashte vendit.

Miltiadh Driza është drejtues i trupës artistike, Alfred Mato, udhëheqës artistik, Gëzim Tolja, organizator, ndërsa këngëtarë të dashur për publikun vendas janë në përbërje të grupit si Ilva Tuçi, Hysni Alushi, Ylli Çiftja etj.

K.H.