Katër breza basketbollistësh që kanë bërë historinë e këtij sporti në Durrës janë mbledhur në një ekspozitë të hapur në galerinë e arteve në Durrës. Pjesëmarrës ishin sportistët durrsakë që në vite kanë shkruar historinë e bukur të basketbollit edhe në arenën komëbtare me trofetë e fituara.
Të pranishmit e shumtë në këtë ekspozitë, e cila vjen në ditën e themelimit të akademisë së “Goga Basket”, kanë festuar njëkohësisht edhe ditëlindjen e “Dhimitraq Goges” Ilia Xhako ish-basketbollist, mjeshtër sporti, ish-lojtar i ekipit të kombëtares e gjithashtu të ekipeve të lokomotivës, Partizanit etj., tha se në këtë ekspozitë vijnë kujtimet e traditës së basketbollit durrsak.
Ekipi i basketbollit të Durrësit ka fituar për 11 vjet me radhë kampionatin, ndërsa edhe më vonë ka fituar disa tituj duke u bërë ekipi më i mirë për meshkuj në vend. Ilia Xhako kujton me nostalgji të gjithë periudhën e shkuar, kur ekipi i meshkujve ishte krenaria e basketbollit në vend.
Më herët me rastin e Ditës së Akademise Sportive “Goga Basket”, u zhvillua një turne basketbolli dhe u mbyll me një mbrëmje plot ngjyra në Arenën “Dhimitraq Goga”.
K.H.