Gazeta e mirënjohur zvicerane "Tages Ainziger" ka bërë një reportazh në Kosovë, vend prej të cilit e kanë prejardhjen yjet më të mëdhenj të kombëtares zvicerane të futbollit, në prag të ndeshjes Zvicër-Suedi.

"Hajde Zvicër. Kështu thërrasin banorët e këtij fshati", shkruan Ainziger në tekstin për fshatin Zhegër, fshat nga i cili e ka prejardhjen Xherdan Shaqiri.

Në këtë reportazh shkruhet për euforinë që mbretëron te shqiptarët para ndeshjes, të cilët me zemër mbështesin kombëtaren zvicerane, sikurse të jetë kombëtarja e tyre. Kjo përballje do t’i japë të drejtën Suedisë ose Zvicrës që të sfidojë në çerekfinale, fituesen e çiftit Angli-Kolumbi.

Një kualifikim mes tetë më të mirave të botës, do ta ndihmonte Zvicrën të barazonte rezultatin më të mirë të arritur nga ata në një Kupë të Botës, të regjistruar në Botërorin e zhvilluar në shtëpi në 1954-ën. Suedia, nga ana tjetër, mund të krenohet për një finale të luajtur në Kupën e Botës, në 1958-ën.