Aksioni i Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Durrësit është vlerësuar maksimalisht nga shumë pushues që kanë mbërritur në begdetin Adriatik.
Këtë fillim javë Policia Bashkiake në Durrës ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike në plazhe nga ana e subjekteve që nuk kanë paguar detyrimet.
Aksioni ka nisur pranë kanalit në hyrje të Shkëmbit të Kavajës dhe pritet të vazhdojë deri në kufi me plazhin e Golemit, i cili administrohet nga bashkia e Kavajës.
Drejtori i policisë bashkiake, Vasip Çopa shprehet se çdo subjekt që operon në plazhe private duhet të ndërgjegjësohet dhe të paguajë detyrimet, pasi në të kundërt do të sekuestrohen çadrat dhe shezllonët.
Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me punonjës së departamentit të Tatimeve dhe Taksave në bashki, të cilët kanë nxjerrë emrat e subjekteve që nuk kanë paguar detyrimet. Pas këtij aksioni, efektivat e policisë bashkiake pritet të zhvendosen drejt plazhit të madh të Durrësit dhe më pas drejt Gjirit të Lalëzit.
K.H.





