Pas përfundimit të punimeve në autostradën Tiranë-Durrës, ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor bëjnë me dije se ditën e hënë, në orën 06:00 të mëngjesit do të fillojë ndërhyrja për rehabilitimin se segmentit rrugor Degëzimi-Vorë (shinat e trenit) – Fabrika e Tullave në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Bllokimi i aksit rrugor dhe devijimi i trafikut do të fillojë në orën 06:00 të ditës së hënë datë02/07/2018. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor ju kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
1. Trafiku i mjeteve të rënda që vijnë nga Veriu në drejtim të doganës së Tiranës do të vijojnë normalisht nga Fushë Kruja në Doganë dhe do të kthehen përsëri nga i njëjti segment rrugor dhe do të vijojnë sipas destinacionit përkates.
2. Trafiku i mjeteve të rënda nga Veriu në drejtim të portit të Durrësit dhe Jug do të përdorin segmentin Fushë Krujë – Kamëz – rreth rrotullimi “Casa Italia” – Durrës.
3. Trafiku i mjeteve të rënda nga Jugu, në drejtim të veriut do të përdorin segmentin rreth rrotullimi “Casa Italia” – Kamëz – Fushë Krujë.
4. Drejtuesit e autoveturave do të vijojnë normalisht drejt destinacioneve respektive duke përdorur urën e Vorës.
5. Transporti i udhëtarëve në të dy drejtimet do të përdorin segmentin e rrugës së aeroportit të Rinasit dhe mbikalimit te Kasharit.
6. Ky devijim do të vazhdojë deri në përfundim të punimeve të rehabilitimit.
Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren duke dhënë të gjitha orientimet e duhura dhe vendosur sinjalistikën e duhur për orientimin e trafikut.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të rehabilitimit në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikes provizore të vendosur si dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.





