Gjobat e vendosura ndaj dy lojtarëve shqiptarë nga Kosova, që përfaqësojnë Zvicrën në Kupën e Botës “Rusi 2018”, duket se e kanë gjetur kontribuues të shumtë të gatshëm të paguajë për shlyerjen e një pjese të tyre.
Një prej tyre është edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Bajram Hasani ka vendosur që pagën e tij ta japë për të paguar një pjesë të gjobës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, të cilët u dënuan me nga 10 mijë franga nga FIFA për shkak të gjestit të shqiponjës.
Përmes një postimi në “Facebook”, ministri që edhe vetë vjen nga Gjilani, vendlindja e Shaqirit, ka thënë se emocionet që ata u dhanë të gjithë shqiptarëve nuk paguhen me parà.
“Nuk paguhen me para emocionet që na dhanë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër-Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë.
Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndihem i detyruar që një pagë timen ta ndaj për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni djema e na bëni krenarë!”, shkruan ministri Hasani.