Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda rikonfirmon dënimin me burg për jetë për Denis Shtrazën.
Denis Shtraza u shpall fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016.
Më 19 mars 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burg të përjeshtëm, por ky vendim u apelua nga pala mbrojtëse. I pandehuri dhe avokati i tij kanë pretenduar për pafajësi me argumentin se nuk ka lidhje me vrasjen e Çollakut.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Denis Shtaza ka mohuar kategorikisht përfshirjen si autor i drejtpërdrejtë apo bashkëpunëtor në vrasjen e Gazmend Çollakut. Për ngjarjen u shpall në kërkim edhe ish-oficeri i policisë, Ervin Dalipaj, por çështja ndaj tij u pushua pas vdekjes, për shkak se oficeri i policisë u ekzekutua në një atentat mafioz më 25 prill të vitit 2017.
Gazmend Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit 2016 pranë një lokali në vendin e quajtur dy kullat në Durrës, dhe u gjet të nesërmen i vrarë me 5 plumba në kokë në fshatin Murqin të Krujës.





