Vangjush Dako, kreu i bashkisë së Durrësit ka reaguar në një prononcim për DurrësLajm pas protestës së operatorëve të licensuar të lojërave në ujë. Dako tha se nuk jemi për mbylljen e këtyre bizneseve, por për të vazhduar aktivitetin normalisht.

“Bashkia ka përcaktuar katër vendbazime për motorët dhe mjetet e tjera të argëtimit, për të cilët ka licensuar edhe operatorët e biznesit. Dy vendbazime janë licensuar në plazhin e madh të Durrësit e dy në Shkëmbin e Kavajës. Policia ka detyrë të kontrollojë sinjalistikën e këtyre vendbazimeve. Ne nuk kemi pse pengojmë aktivitetin e tyre. Subjektet e licensuar janë të disiplinuar, këtë e treguan edhe vitin e shkuar”, tha Dako.

Kërkesa të shumta ka pasur edhe për plazhin e Currilave, për mjetet ujore argëtuese.

“Bashkia e Durrësit nuk është kundër kontrolleve të rrepta nga policia për të shmangur çdo aksident të mundshëm. Nuk janë operatorët e licensuar ata që rrezikojnë, por individë të veçantë që kanë motora uji” pohoi Dako.

Pronarët e këtyre mjeteve janë futur në konflikt me policinë kufitare në Durrës për shkak se policia këtë vit ka bllokuar dhënien e lejeve për të gjithë subjektet pa përjashtim duke mos llogaritur kostot e humbjes financiare që u shkaktohet atyre.

K.H.