Gjykata ka lënë në burg pa afat 42-vjeçarin Çlirim Shaholli, i cili vrau gruan e tij Ardiana Shaholli 40 vjeçe, mbrëmjen e së premtes. Autori nuk është shfaqur i penduar, por ka pranuar krimin para gjykatës, ndërsa ka deklaruar se e goditi pas sherrit, pasi dyshonte se gruaja e tradhtonte me pronarin e firmës ku e ndjera kishte filluar të punonte kohët e fundit.

“Sherri nisi, pasi i thashë se më tradhtonte me pronarin e firmës”, ka deklaruar para togave të zeza Shaholli.

Pas sherrit, ai ka pranuar se i ka përplasur kokën bashkëshortes në dysheme, çka i ka sjellë më pas si pasojë edhe vdekjen.

Në seancë nuk ndodhej asnjë familjar i tij, pasi të gjithë e kishin braktisur. Çifti ka 6 fëmijë, ndërsa sipas familjarëve, gruaja e ishte denoncuar më parë për dhunën, por pas shoqërimeve burri ishte lënë i lirë nga policia. Bashkëshorti vrasës, që ka lënë rrugëve 6 fëmijë të mitur, nuk u shfaq i penduar apo t’i kërkonte ndjesë fëmijëve të tyre që iu mori jetën nënës.