Më shumë se 50 % e mallrave “Made in Albania” i gjejnë tregjet ndërkombëtare përmes detit. Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), e cila i referohet INSTAT-it.

Raporti i fundit i publikuar nga Instituti i Statistikave, bën të ditur se në katër mujorin e parë të këtij viti, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) llogaritet 300 miliardë lekë dhe 55 % e tyre u transportua me det.

Referuar të dhënave të raportuara nga ATSH, për periudhën janar-prill 2018, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 1.298.000 tonë, duke u rritur me 5.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. (Anijet dhe tragetet në këto katër muaj kanë transportuar 1.230.605 tonë mallra gjithsej nga-drejt Durrësit-bëhet e ditur nga APD).

Përmes rrjetit hekurudhor, bën të ditur INSTAT, u transportuan 4.400 mijë tonë-kilometër, shifër kjo që rezulton 35.6% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Ndërsa përmes ajrit, në katër muajt e parë të vitit janë transportuar 717 tonë mallra, duke u rritur 4.1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë 2017.