E pati paralajmëruar në fillim të vitit dhe tashmë Luis Nazario Da Lima, ose shkurt Ronaldo, është duke e bërë realitet blerjen e një klubi futbolli.
“Aktualisht po planifikoj të blej një klub në Championship ose Secunda Division, për ta drejtuar dhe për të marrë sa më shumë eksperiencë. Dua të aplikoj një mënyrë inovative drejtimi dhe pasi të kem eksperiencën e duhur, do të marr në konsideratë drejtimin e Federatës Braziliane të Futbollit”, u shpreh braziliani, më 22 janar, në një intervistë në shtetin e tij.
Së fundi, mediat spanjolle raportojnë se Ronaldo ka bërë një ofertë zyrtare për të blerë klubin spanjoll të Valladolidit. Qëllimi i fenomenit është të blejë shumicën e aksioneve të presidentit Carlos Suarez, për të synuar më pas ngjitjen e skuadrës në Primera Division.
Gjithsesi mediat spanjolle raportojnë se fillimisht do të pritet përfundimi i sezonit, pasi Valladolid ka ende shanse për t’iu ngjitur në Primera që këtë sezon, çka do t’i rriste ndjeshëm vlerën në treg.





