* Valentin Floriri: Ja kërkesat për institucionet!

Në filim të sezonit veror në Durrës, Drejtoria e Qarkullimit Rrugor iu ka dhënë alarmin e kuq të gjithë institucioneve vendore, për të shmangur aksidentet dhe për të disiplinuar qarkullimin rrugor, kryesisht në zonën bregdetare.

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Durrës, Valentin Floriri, i ka bërë apel prefekturës si institucioni më i lartë i qeverisjes lokale që të ndërhyjë me të gjithë kompetencat e saj për të disiplinuar qarkullimin në disa prej segmenteve rrugore, në të cilat ose shoferët gjobiten pa të drejtë, ose ndodhin aksidente të rënda, bllokohet trafiku apo bllokohen turistët siç është rasti i autobusëve të Kosovës në rrugën “Pavarësia”.

Shefi i Qarkullimit ka kërkuar që për sezonin veror të hiqet semafori në unazën e plazhit të Durrësit si vijim i autostradës Tiranë-Durrës që lidh Veriun me Jugun e vendit, por që në këtë segment shpejtësia e lejuar është vendosur 40 km, duke përbërë një skandal të madh për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Po kështu, Qarkullimi Rrugor kërkon të bëhet një kalimëshe rruga dytësore Plepa-Golem, për shkak të trafikut të rënduar.

Segmenti Maminas – Gjiri i Lalzit është tejet problematik. Trafiku nuk menaxhohet as me numrin e madh të policëve në rrugë, për shkak të fluksit të makinave që i drejtohen plazhit.

Bashkia e Durrësit të marrë masa për të përcaktuar vendqëndrimet e autobusëve që vijnë nga Kosova për të mos u krijuar e njëjta situatë kaotike si një vit më parë, kur autobusët nuk u lejuan të hynin në rrugë, e për pasojë turistët u zbritën tek Ura e Dajlanit. Ndërsa ata autobusë që nuk e respektuan këtë vendim, u gjobitën nga policia e Qarkullimit Rrugor. Po kështu, Qarkullimi Rrugor ka kërkuar nga bashkia e Durrësit të mos lejojë automjete të rënda dhe furnizmi i subjekteve të bëhet gjatë orëve të natës.

Këto kërkesa, Qarkullimi Rrugor ia ka dërguar zyrtarisht institucioneve vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, por deri tani nuk është vënë re marrja e masave nga institucionet përgjegjëse. 

K.H.