“Signs, games and messages” titullohet koncerti i violinistit Florian Vlashi kushtuar ngjarjeve të muajit maj të vitit 1968 në shumë prej vendeve të Evropës.
Veprimtaria artistike që do të zhvillohet pas një jave në sallën e Universitetit të qytetit Santiago de Compostela (Spanjë) synon të rikthejë në memorie ngjarjet e rëndësishme që shenjuan të ardhmen e të rinjve evropianë 50 vjet më parë.
Tashmë, violinisti shqiptar që punon prej vitit 1992 në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, është një nga instrumentistët më aktivë në jetën koncertore spanjolle.
Violinisti durrsak Florian Vlashi, kohët e fundit ka zhvilluar një sërë takimesh, konferencash dhe koncertesh në shkollat dhe universitetet e Galicisë.
Pas dy ditësh ai është ftuar në Fakultetin e Arteve të Bukura në Pontevedra, ku do të interpretojë vepra nga autorë të njohur të shekullit të kaluar si Iannis Xenakis, Cristobal Halffter, Gyorgy Curtag, Helmut Lachnemann dhe Carlos Lopez Garcia-Picos.
Që nga fillimi i muajit maj, 55-vjeçari Vlashi ka dhënë edhe dy koncerte të tjera në Korunja dhe qytetet pranë, së bashku me ansamblin instrumental “Shekulli XX”, themeluar dhe drejtuar prej tij që nga viti 1996.
G.K.