Ish-arbitri i “Premier League” angleze, Mark Klatenburg, ka pranuar se konsumonte alkool për t’u çliruar nga tensioni pas një ndeshjeje të madhe në kampionat. 43- vjeçari që la Anglinë në shkurt për të gjykuar në Arabinë Saudite ka folur për mënyrën se i arrinte t’i përballonte ndeshjet me presion të lartë. Klatenburg është konsideruar si një ndër arbitrat më të mirë të Premier Ligës. Ai ka gjykuar finalen e Champions-it, “FA Cup” dhe finalen e kampionatit Europian.
“Si mund ta përballosh një ndeshje të tensionuar? Pi shumë birra!”, tha Mark. Më pas, ai shton “I telefonoja gruas pas ndeshjeve dhe ajo e dallonte nga zëri nëse kisha gabuar në ndeshje apo. Më pas kur shkoja në shpi, ajo priste në krevat dhe frigoriferi ishte plot me birra në rast se kisha ëndrra të këqija, ishin gati për konsumim. Në rast se zhvilloja një ndeshje të mirë, ajo më priste zgjuar. Ishte e tmerrshme kur bëje një gabim në ndeshje. Rruga për në shtëpi ishte një katastrofë. Por kur arbitroje një ndeshje të mirë, hapje radion dhe kërkon të dëgjosh të gjitha komentet që flisnin për atë ndeshje. Në të kundërt, dëgjoje vetëm muzikë në mp3”.
Klatenburg kujton kohën kur akuzohej se kishte thënë fjalë raciste për lojtarin e Çelsit, Obi Mikel në sezonin 2012. Një rast që u pasua me një investigim të gabuar nga federata angleze në atë kohë.
“Kujtoj një ditë kur isha në aeroportin e Londrës dhe një tifoz më tha: “Ti je arbitri apo jo? Je bërë protagonist në disa lajme. A e kupton se sa impakt ke në futboll. Nuk mund të dilja nga shtëpia për disa javë. Isha akuzuar për diçka që nuk e kisha bërë, isha i mërzitur dhe i frustuar. Investigimi duhej bërë pa influencë të jashtme”, përfundon Klatenburg.
Arbitri na jep një këndvështrim ndryshe nga se jemi mësuar. Puna e tyre shpesh kritikohet dhe ata janë gjithmonë në shënjestër kur gabojnë dhe shumë pak kur arbitrojnë ndeshje të mira. Në Angli nuk përdoret sistemi VAR, por vetëm teknologjia e portës. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur arbitrat në kampionatin më të fortë në botë kanë qenë nën akuzë nga klubet, gabimet e shumta kanë shkaktuar jo pak polemika dhe kanë rritur presionin te xhaketat e zeza. Por, ashtu siç na rekomandon Klatenburg, mënyra më e mirë për t’i përballuar këto presione është… të konsumosh disa birra të ftohta pas ndeshjes.





