Nga data 1 deri më 9 shtator të këtij viti finalet e Kampionatit Europian të Volejbollit për kategorinë U-19 për vajza do të zhvillohen në Shqipëri, ku sigurisht vendi ynë merr pjesë se organizator i turneut.
Sot paradite, në kryeqytet, është hedhur shorti i këtij eventi, ku përveç drejtuesve të FSHV-së të pranishëm kanë qenë edhe drejtuesit e Federatës Europiane të Volejbollit (CEV), që kanë organizuar dhe monitoruar hedhjen e shortit.Shqipëria, e cila drejtohet nga trajneri Roland Tarja, është shortuar në Grupin A, së bashku me ekipet e Polonisë, Italisë dhe Bullgarisë, ndërsa në Grupin B janë ekipet e Turqisë, Rusisë, Serbisë dhe Francës.
Për t’u përcaktuar janë edhe 4 ekipe të tjera, nga dy për secilin grup, që do të dalin nga një fazë eliminatore, që do të organizohet në qershor, në Rumani e Greqi.Kjo është hera e parë që Shqipëria organizon një event të tillë madhor në sportin e volejbollit, ku niveli është shumë i lartë dhe ku pritet të jenë përfaqësuesit më të lartë të volejbollit ndërkombëtar.
“Jemi të nderuar që CEV na ka besuar këtë turne dhe jam i bindur se do të arrijmë të tregojmë aftësitë tona. Shpresojmë që Shqipëria të tregojë edhe në parket aftësitë e saj”, u shpreh Erlind Pëllumbi, presidenti i FSHV-së.





