Me rastin e 65-vjetorit të krijimit të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës është hapur një ekspozitë fotografike në hollin e teatrit. Ekspozita sjell në vëmendjen e gjithsecilit sukseset e shfaqjeve të dhëna në teatër, që prej krijimit të tij nga trupa amatore, ngritjen e teatrit profesionist dhe suksesin hap pas hapi e nga shfaqja në shfaqje e aktorëve që bënë teatrin. 

Nisma e studio “Domi” dhe përgjegjësit të arkivit Luan Jaupit u finalizua me hapjen e kësaj ekspozite fotografike, e cila mblodhi së bashku artistë të vjetër e të rinj që kanë kontribuar në jetën artistike të qytetit bregdetar. Plejada e shquar e aktorëve që e ngritën teatrin në majat më të larta, nga shfaqja në shfaqje për dekada me radhë nëpërmjet fotove është kundruar me interes nga të gjithë të pranishmit, të cilët risollën në mendje kujtime të bukura pas dekadash të tëra.

Në hapjen e kësaj ekspozite kanë marrë pjesë artistë e dashamirës të artit.    

Bashkim Hoxha, drejtori i teatrit “Aleksandër Moisiu” vlerësoi punën e bërë në vite me shfaqjet e suksesshme. Sukseset e teatrit janë fiksuar në fotografi që deri më sot qëndronin në skedarë. Hoxha falënderoi sponsorët që bënë të mundur hapjen e kësaj ekspozite,

“Ka qënë një përpjekje e jashtëzakonshme e Luan Jaupit, i cili ka negociuar me familjarët e akorëve që dhanë një pjesë të këtyre shfaqjeve. Ju bëj thirrje familjarëve që të japin fotografitë për të plotësuar këtë arkiv të hapur. Teatri ka qënë një faktor i rëndësishëm për jetën e qytetit të Durrësit”.

Lutfi Hoxha, një prej aktorëve më të vjetër, themelues i teatrit profesionist, është befasuar nga ekspozita fotografike. Ai tha se arkiva e teatrit është pasuri e të gjithëve.

Rolant Xhelilaj, një durrsak i vjetër dhe deputet i PS-së solli kujtimet e tij gjatë ceremonisë. Kjo ekspozitë u bë e mundur nga Abi Bank si sponsor kryesor. Kontribuan gjithashtu edhe kompania “Aiba”, familja Balëza dhe shkolla “Ibrahim Kodra”.

K.H.