Artdashësit durrsakë kanë duartrokitur mbrëmjen e kaluar interpretimin e orkestrës së harqeve “Aleksandër Moisiu”, që drejtohet nga dirigjenti Petrika Afezolli.

“Bosniana”, kompozuar nga violonçelisti Moni Kuriçi ka hapur programin, duke marrë edhe vlerësimet e të pranishmëve në odeonin “Nikolin Xhoja”. Pjesa që ka fituar çmimin e parë në Festivalin e orkestrave në Elbasan është një homazh i autorit Kuriçi për Bosnjen, vendin e të parëve të tij. E konceptuar si një valle me motive popullore ajo dallohet edhe për atmosferën e trishtuar, që sjell dueti i violinave.

Më pas klarinetisti Çlirim Baruni interpretoi Koncertinon e Gordon Jacobs, një vepër e arrirë artistikisht nga e gjithë orkestra e njohur durrsake.

Solisti Pirro Sota në fagot, interpretoi me sukses veprën Agnus Dei, përshtatur për orkestrër harqesh nga Ylli Ramzoti. Programi u mbyll me Serenatën për harqe op. 48 nga P. I. Çajkovski, ku dallojnë Elegjia dhe Finalja.

Orkestra “Aleksandër Moisiu” ka një program të rregullt koncertesh në Durrës dhe qytetet pranë tij.

G.K.