Mançester Siti ka nisur të mendojë për ndërtimin e skuadrës së re për sezonin e ardhshëm, pas zhgënjimin në Champions. Dhe ky proces nis nga mbrojtja. Pep Guardiola është i interesuar për mbrojtësin brazilian Eder Militao, për të cilin “qytetarët” pritet të bëjnë një ofertë në merkaton e janarit.Mbrojtësi i Sao Paulos, i cili mund të luajë gjithashtu edhe në mesfushën defensive, ka një vlerë kartoni diku te 20 milionë paund. Për të sjellë 20-vjeçarin në Europë interesohet edhe Porto. Militao mund të jetë një nga tri afrimet e kampionëve të ardhshëm të Anglisë këtë verë.
Sepse Siti interesohet edhe për mesfushorin e Shahtjorit, Fred, i cili është gjithashtu në monitorimin e rivalëve të Junajtid. Por asnjë nga klubet e Mançesterit nuk bëri një ofertë për futbollistin, që vlerësohet te 50 milionë sterlina. Menaxheri i brazilianit, Gilberto Silva, e ka konfirmuar se Fred dëshiron një transferim në Angli. Ai vlerësohet si pasardhësi afatgjatë i Fernandinjos.
Ndërsa lëvizja e tretë e “qytetarëve” në merkato është ajo për Rijad Mahrezin. Sulmuesi algjerian ishte i dëshpëruar për t’iu bashkuar atyre në merkaton e janarit, madje edhe u rebelua dhe u zhduk nga klubi i tij, Leiçesteri, disa javë. Por me 10 golat dhe 8 asistet e tij këtë sezon, Pep vijon të mendojë se ylli i “dhelprave” është ende një lojtar që i intereson atij për vijën e parë të sulmit, pavarësisht se në krah ka një mbipopullim talentesh. Mahrez mund ta lërë “King Power Stadium” për 60 milionë paund.
Ky është plani në letër i Begiristainit dhe Sorianos për merkaton e verës. Por për të, do të nisë të mendohet vetëm pasi të jetë hipotekuar edhe trofeu i dytë sezonal, ai i Premier Ligës. Suksesi mund të vijë që këtë të shtunë, nëse “qytetarët” do të arrijnë të mposhtin rivalët e Totenhemit në “Wembley”.
Por sipas “Daily Telegraph”, Pep Guardiolës do t’i vihen në dispozicion gati 700 milionë euro në total (680) për të transferuar dy mesfushorë, një mbrojtës, një organizator dhe një anë- sor, në mënyrë që “qytetarët” të afrohen me shumë me ëndrrën e tyre të vjetër, Ligën e Kampioneve.





