Moti fantastik këtë ditë Pashkësh me temperatura të larta, të përshtatshme për të bërë edhe plazh, ka bërë që dhjetëra automjete t’i drejtohen shëtitores së shumë frekuentuar “Taulantia” dhe lokaleve e restoranteve përgjatë vijës bregdetare deri në Currila. Dyndje pushuesish ka gjithashtu edhe në të gjithë zonën e Plazhit, nga Agipi deri në Golem e më tej te Mali i Robit.
Pamjet filmike dhe fotot që sjell “DurrësLajm”, tregojnë morinë e automjeteve që lëvizin në drejtim të një prej vendeve më të preferuara nga durrsakët dhe jo vetëm.
Vargu i gjatë i automjeteve ka shkaktuar vështirësi në lëvizje dhe trafik të rënduar në Vollga. Drejtuesve të mjeteve u duhet rreth 20 minuta apo dhe më shumë, për të mbërritur nga qendra e qytetit deri në Currila.
Dikush ka preferuar të konsumojë një kafe apo drekë pranë bregut të detit, por ka edhe nga ata që kanë zgjedhur të nisin sezonin e plazhit më herët, duke veshur rrobebanjot e duke shijuar rrezet e nxehta të diellit.





