Policia e Durrësit ka përcjellë në prokurori dosjen lidhur me hetimet e kryera për kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkisë Durrës, Artur Çela.

Në një njoftim shumë të shkurtër të saj dhe pa specifikuar detaje policia sqaron ”Më datë 06.04.2018, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës, për shtetasin A.Ç, vjeç 51, banues në Durrës bazuar në nenin 248 të Kodit Penal.”

Kryeinspektori Artur Çela akuzohet për shpërdorim të detyrës. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Çela nuk ka zbatuar ligjin mbi prishjen e një objekti pa leje në lagjen 17 të qytetit, duke e favorizuar personin në fjalë, ndërsa denoncimi i bërë në drejtim të tij, ka bërë që të nisë procedimi penal në gjendje të lirë.

Ky është zyrtari i dytë i lartë i bashkisë Durrës, që ndiqet panalisht për "Shpërdorim detyre", brenda në kohe të shkurtër. Në mesin e muajit mars, u pezullua nga detyra shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Adhurim Qehajaj, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me lejen e ndërtimit të një objekti hotel në zonën e Urës së Dajlanit.