Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu merr pjesë në forumin që po zhvillohet sot për personat LGBTI, ku janë të pranishëm edhe ministra e deputetë.

Lu kujtoi rastin, kur tre vjet më parë ai doli në terren bashkë me policinë, për të mbrojtur personat LGBTI që po parakalonin me biçikleta, nga goditja e disa njerëzve me vezë, shkruan gazeta shqiptare.

Ambasadori përmendi me emra disa funksionarë publikë që u dolën në krah LGBTI-ve, si dhe ata që i kanë sulmuar kohët e fundit njerëzit e këtij komuniteti.

"Vetëm pak patën guxim. Igli Totozani, Vasilika Hysi, Olta Xhaçka, ju keni kurajo.  Gjatë paradës së LGBTI disa vite më parë një djalë katër vjeçar që po kalonte me babain e tij desh u godit nga një vezë. Një nga koleget e mia të ambasadës u godit me një domate, më thanë se kjo ishte shumë më mirë në krahasim me të kaluarën. Është e vërtetë se kam parë përmirësim në Tiranë, por kam parë edhe homofobi të vazhdueshme. Kam parë fare pak politikanë shqiptarë që të shfaqin mbështetjen në publik në nisma si parada apo Indeksi i LGBTIQ. Kemi ndjekur Ylli Manjanin, Tritan Shehun dhe Oriola Pampurin. Kini kujdes sepse përfaqësoni edhe elektoratin tuaj. Kemi ndjekur debtatet e nxitura nga deklaratat e bëra, shpresoj që drejtuesit politikë ta kuptojnë se fjalët e tyre nuk përfaqësojnë vetëm bindjet e tyre partiake, por edhe të njerëzve që i kanë zgjedhur për ta përfaqësuar. Populli shqiptar është shumë tolerant, unë shpresoj që edhe politikanët të jenë po kaq tolerantë."