Një djalë 3-vjeçar ka ndërruar jetë këtë të enjte në qytetin e Durrësit.
Fëmija me iniciale D.Z. ishte në një kopsht privat në lagjen nr. 4 në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike.
Ai është transportuar me urgjencë në poliklinikën e specialiteteve në Durrës dhe nga aty drejt urgjencës së pediatrisë. Por fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spital për arsye ende të paqarta.
Paraprakisht, dyshohet se fëmijës, i cili kishte ngrënë supë para se të ndodhte tragjedia, t’i ketë kaluar ushqimi në rrugët e frymëmarrjes dhe i është shkaktuar arrest kardiak.
Këto janë dyshimet paraprake të mjekëve, mëson “DurrësLajm”.
Të afërmit thonë që fëmija ka qenë i shëndetshëm dhe nuk ka pasur probleme, as temperaturë apo ndonjë simptomë tjetër.
Ndërsa edukatorja e tij ka bërë të pamundurën për ta shpëtuar, duke i bërë dhe frymëmarrje artificiale e masazh, por gjithçka ka qenë e pamundur.
Aktualisht trupi i fëmijës ndodhet në morgun e spitalit, ku pritet t'i nënshtrohet autopsisë.
Policia ka nisur ndërkohë hetimet për të zbardhur shkakun e vdekjes së vogëlushit, që ishte djalë i vetëm në familje.
Informacioni paraprak i policisë:
Më datë 05.04.2018, rreth orës 13:15, në lagjen Nr.4 Durrës, nga një kopsht privat është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës në gjendje të rëndë ku ka ndëruar jetë fëmija më iniciale D.Z. 3 vjeç, banues në Durrës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.





