Vitore Tusha kalon me sukses Vetingun.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që gjyqtarja Vitore Tusha të vazhdojë detyrën Kushtetuese.
Vendimi u dha këtë të enjte në orën 09:00.
Dje në seancën dëgjimore u lexua raporti nga relatorja Sanxhaktari, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, dhe rezultoi se Vitore Tusha nuk kishte asnjë problem me pasurinë e saj, nuk kishte kryer deklarim të rremë dhe e kishte pasurinë e saj të justifikuar.
Nga informacionet e marra nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, gjyqtarja Tusha vlerësohej e përshtatshme për të vazhduar në sistemin e drejtësisë. Po ashtu edhe nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk kishte vërejtje për aftësinë e saj profesionale.
Pasuritë e deklaruara të gjyqtares Tusha janë 2 apartamente një në Tiranë dhe një tjetër në Gjirin e Lalëzit si dhe një sipërfaqe toke prej 500 metra në Farkë.
Tusha është e para gjyqtare që kalon procesin e Vettingut. Më herët (23 mars) KPK, shkarkoi gjyqtarin Fatos Lulo, pasi nuk e justifikonte pasurinë.





