Nga Andi Bushati

Kjo e enjte në parlament, më tepër se për shernajën e zakonshme pozitë-opozitë do të mbahet mend për një gjest simbolik të Edi Ramës: mbylljen e veshëve me kufje, ndërkohë që Basha dhe Kryemadhi flisnin në tribunën e kuvendit.

Dhjetra filmimet dhe qindra fotot e kryeministrit që dëgjonte muzikë teksa kundërshtarët rreshtonin njëmijë e një të zeza për të, do të mbeten me siguri mes imazheve më sinifikative të këtij pushteti.

Ato do të mbahen mend si të tilla, jo sepse ai sfidoi kritikët e tij politikë, që shpesh herë janë të padëgjueshëm edhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Ato do të mbahen mend se, me atë akt, ai mishëroi një nga imazhet që karakterizojnë fund e krye qeverisjen e tij.

Edi Rama me veshë të bukosur përpara atyre që mendojnë ndryshe, është pamja që i shkon më shumë viteve të rilindjes.

Ai është sot i paaftë të dëgjojë aktorët e teatrit të cilët i thonë se shtëpinë e tyre s’mund ta përdorë si një mjet allishverishesh për t’i falur tokë publike njërit prej klientëve të tij.

Ai është i pafatë të dëgjojë naftëtarët e Ballshit që vazhdojnë t’i kërkojnë pagat e premtuara nga “investitori i fuqishëm amerikan” që do të sillte në ARMO.

Ai është i pafatë të dëgjojë fashatarët e Fierit që nuk pranojnë të helmojnë jetën e fëmijëve të tyre, vetëm se me anë të një koncesioni grabitës të ineneratorëve, ai do të pasurojë disa nga ministrat e tij.

Ai është i paftë të dëgjojë arkitektët dhe urbanistët që po e akuzojnë se po zhduk cdo gjurmë të traditës në kryeqytet.

Ai është i paaftë të dëgjojë alarmin e ekonomistëve, se kullëzimi i Tiranës mund të rrezultojë si një histori e re priamidash.

Ai është i paftë të dëgjojë FMN dhe Bankën Botërore që e këshillojnë t’i japë fund PPP dhe koncesoineve që do e zhysin në nivele të papërballueshme borxhin që tani për tani mbahet i fshehtë.

Ai është i paaftë të dëgjojë paralajmërimin e “Basel AML Index” që tregon me shifra për rrezikun e shtuar të pastrimit të parave në Shqipëri.

Ai është i pafatë të dëgjojë raportin e “Doing Bussines” që tregon se kemi humbur 7 pikë në klasifikim dhe se mundësia për të bërë biznes është vështirësuar në vend.

Ai sëhtë i pafatë të dëgjojë shifrat e  “transparency International” që na rendit mes shteteve më të korruptuara në Evropë.

Ai është i paaftë të dëgjojë ata që i kujtojnë se në pesë vite pushtet nuk arriti të sjellë asnjë investim të madh të huaj në vend.

Ai është i pafatë të dëgjojë antimafien italiane që i ka thënë troç se gjatë pushtetit të tij zbarkimi i drogës drejt bregut përballë është rritur ndjeshëm.

Ai është i paaftë të dëgjojë ndëkombëtarët që i përsërisin se deklarata si ato të një presidenti të përbashkët, vetëm sa i fryjnë zjarreve të kota të nacionalizmit ballkanik.

Ai është i pafatë të dëgjojë gazetarët kritikë të cilëve u shmanget totalisht nga përballjet dhe i ka zëvendesuar me Niko Peleshin apo Ogerta Manastirliun në rolin e reporterit të ER TV.   

Pikërisht për të gjitha këto imazhi i një kryeminisri që hecën përpara duke mbajtur veshët mbyllur i shkon për bukuri Edi Ramës.

Por, për këdo që e ka ndjekur që në fillim trajektoren e tij, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fillimet e qeverisjes Rama premtoi se do të drejtonte duke dëgjuar edhe ata që mendonin ndryshe nga ai. Madje bëri për këtë një akt madhor, mbajti dhe një fjalim, nga më të mirët e vet si kryeministër, kur arriti t’u thtë jo amerikanëve për armët kimike, vetëm e vetëm për të dëgjuar zërin e protestuesve që kishte poshtë zyrës.

Por, që atëhere ka rrjedhur shumë ujë. Kriminalizimi i qeverisjes, zhytja e saj në afera, babzia dhe deliri i pushtetit të gjatë e detyruan edhe ata të vërë kufjet. Të vazhdojë të marshojë pa dëgjuar më. Duke ndjekur traditën tashmë të njohur të atyre që kanë mbretëruar gjatë, që nga Nano deri tek Berisha, të cilët kur kanë parë se përdorimi i pushtetit i ka mundur, nuk kanë preferuar ta lënë atë, por janë kacavjerrë pas tij me veshët mbyllur.

Edhe me Ramën po ndodh e njëjta gjë. Ai e ka kuptuar se qeverisja e tij ka marrë tatëpjetën.

Prandaj ka vënë kufjet.

Duke u shfaqur përpara publikut me atë imazh simbol që s’do ta përshkruanin dot as mijëra fjalë.

/Lapsi.al/