Premiera që ngriti siparin këtë fundjavë në teatrin “Aleksandër Mosiu” të Durrësit është ndjekur nga një publik i ngrohtë i cili kishte tejmbushur sallën e teatrit.
Në skenë kanë dalë fillimisht këngëtarët e njohur durrsakë, të cilët kanë ndezuar atmosferën për t’ia lënë në dorë skenën aktorëve të humorit të cilët me lojën e tyre kanë bërë publikun të qeshë gjatë e me zemër.
Në fund regjisori Edmon Halili ka mbetur mjaft i kënaqur nga pritja që publiku i bëri shfaqjes dhe vetë interpretimeve.
Më herët aktori i cili ka mbledhur e përzgjedhur materialet, Edmond Halili, tha se kjo është një shfaqje e cila ka humor të mirë, jashtë banaliteteve, ndërsa pas katër vitesh ka rikthyer në skenë Roland Koçën, veteran I trupës së varietesë në Durrës.
“Humor i pastër me shumicë” me pjesëmarrjen e aktorëve, Mimoza Marjanaku, Dashamir Sinani, Gjergj Doçi e Edmond Halili, premton një spektakël të vëtetë argëtimi deri në 4 mars.
Materialet janë përzgjedhur nga jeta e përditshme, marrëdhëniet shoqërore, ato brenda familjes, midis një çifti, apo edhe midis komshinjve të një pallati. Gjithçka vjen në mënyrë argëtuese, për publikun i cili ka nevojë për të qeshur në këto kohë të mbushura me shumë politikë.
K.H.