Nga Andi Bushati

Një koalicion i gjerë kolegësh pro qeveritarë janë përfshirë në një thirrje për të bojkotuar mediatikisht Sali Berishën, pas ndërhyrjes, sa brutale aq edhe vulgare, që ai bëri në emisionin “Studio e hapur” kundër gazetarit Artan Hoxha.

Duhet thënë që në fillim, ai penetrim tek Eni Vasili, përmes telefonit, e ulte nivelin e një ish-presidenti dhe një ish-kryeministri në rangun e një keqbërësi ordiner. Aq më të shpifur e bënin këtë ndjesi akuzat e pa baza që ai renditi ndaj Hoxhës.

Dhe me sa duket ky rast i artë po i shërben kundërshtarëve historikë të Berishës për të larë njëherë e mirë hesapet me të. Tezat tashmë janë të përhapura në tregun mediatik: “T’i bëhet bllok qytetarit dixhital”, “T’i jepet fund këtij komunikimi të denjë për plakat e liga”, “Të mbyllet ky burim i pistët që vetëm hedh vrer mbi faqet e mediave tona”.

Për shumë nga shembujt ata kanë të drejtë. Askush nuk e mohon dot se në lumin e pafundëm të denoncimeve dixhitale të Sali Berishës ka një mal me të pavërteta, gafa skandaloze dhe gënjeshtra të qëllimshme.

Unë personalisht i kam provuar mbi shpinë anatemimet dhe shpifjet e këtij njeriu. As sot nuk e harroj dot se si erdhi dhe më sulmoi në studion e TV ku punoja, dhe pronari bythëlëpirës i të gjitha pushteteve, jo vetëm që nuk pati guximin të më mbronte, por u bë njësh me të.

Unë vetë e kam përjetuar me habi se si një ish-kryeministër mund të marrë penën e të shkruaj për funksionimin e organeve të mia gjenitale. Unë e di nga eksperienca personale se sa të vërteta ka në shpalljen e puçistëve vetëm e vetëm për të fshehur krimin e 21 janarit.

Për të gjitha këto edhe unë duhet të isha i gatshëm t’i bashkohesha korit që bërtet: “mbylljani gojën këtij njeriu”.

Por, kur lë mënjëanë emocionet e mija dhe neverinë e gënjështarve të pjesshme, në mendje më vijnë edhe fakte të tjera.

Sot nuk e mbaj mend, por edhe unë me siguri do të kem qeshur sëbashku me korin e atyre që gajaseshin se Berisha është marrosur aq shumë sa tani po thotë se është vjedhur edhe floriri i thesarit të shtetit. Më pas, ndoshta nuk e kam besuar që në fillim, kur u bë i pari që tha se nën regjimin e Ramës droga po transportohej me avionët që uleshin në Gjadër dhe Divjakë.

Fatkeqësisht, për këto Berisha nuk ka gabuar. Një ditë të gjithë e morën vesh se ari i Kërrbës ishte zhdukur dhe se kacatorët e Ramës nuk ishin mushkonja. Ashtu sikurse të gjithë e dinë se Sali Berisha u bë i pari që na tregoi se banda e Shullazit po ndërhynte në zgjedhjet e universitetit dhe që ngriti gishtin mbi disa nga kriminelët e parlamentit, kur për ta nuk bëzënte njeri.     

Pra ,pa treguar edhe këtë anë tjetër të medaljes, ne nuk themi të vërtetën e plotë të Sali Berishës. Prandaj thirrja për bojkotimin mediatik të tij më duket e nxituar.

Nga njëra anë unë bie dakord me të gjithë kolegët e mi pro qeveritarë që denoncimet e qytetarit dixhital në shumë raste janë të gënjeshtërta, të shpifura dhe që ato e bëjnë pis mjedisin tonë. Por, nga ana tjetër unë jam i bindur se përpos lejimit të këtyre shpifjeve, ky mjedis lëngon edhe nga një sëmundje më e madhe: nga pafuqia për të thënë të vërtetat. Turpi ynë nuk është vetëm që lejojmë Berishën të shpifë, turpi ynë, ndoshta edhe më i madh, është që Berisha i ka zbuluar disa skandale para nesh.

Prandaj, sa do e dhimshme që të jetë, deri në një të ardhme më të mirë, unë nuk i bashkohem thirrjes për bojkotimin e Berishës. Sepse ai nuk luftohet duke e censuruar, por duke e bërë të panevojshëm. Dhe që të arrijmë këtu duhet të jemi në lartësinë e tregimit të së vërtetës së plotë.  /Lapsi.al/