Nga Andi Bushati
Po t’i shikoje sot shumë nga komentet e përballjes së Erion Veliajt me gazetarët në “Opinion”, të bënte përshtypje një emërues i përbashkët. Në të gjitha theksohej se kryebashkiaku i kishte intimiduar, kërcënuar madje dhe fyer apo kërcënuar bashkëbiseduesit e tij të së enjtes mbrëma. Le ta themi që në fillim. Kjo qarje dhe ky ankim nuk ka bazë. As unë, as kolegët e mi, nuk jemi lule mos më prek. Nëse e bëjmë ashtu sikurse duhet profesionin tonë, i shkelim në kallo shumëkujt, i prishim punë atyre që kanë pushtet, u nxjerrin në pah të vërteta të frikshme, ne riskojmë, si pasojë e kësaj, të marrim kundër goditje të forta, për të cilat duhet të jemi të përgatitur.
Prandaj, unë kam qenë dhe jam kundër ankesave dhe përlotjeve patetike ndaj pushtetarëve që cënojnë gazetarët. Ashtu sikurse jam edhe kundër thirrjeve paternaliste të Fevziut, që i bërtiste dje Erion Veliajt: “Do të mbyll emisionin po më intimidove gazetarët duke i përmendur pronarët”. Dukej sikur ata që kishte në studio ishin njerëz që nuk dinin t’i dilnin vetes për zot, sikur ata qenë kolegë që nuk e kishin arritur lirinë dhe pavarësinë e tyre profesionale.
Pra, duke lexuar komentet e sotme, më duket sikur jehona e përballjes së mbrëmshme në “Opinion” po futet në rrjedhën dhe shtratin e gabuar. Sepse lajmi i së enjtes nuk ishte se u cënuan apo frikësuan gazetarët. Shumë më evidente qe një tjetër gjë: Ata e nxorrën nga binarët kryebashkiakun. Si rrallë ndonjëherë, ne pamë jo lali Erin e dashur dhe paqësor, jo bamirësin që shpërndan pako me ushqime, jo vullnetarin që mbjell pemë dhe as njeriun human që përqafon një gjyshe apo ngre në krahë një fëmijë rom.
Në mbrëmë pamë një fytyrë tjetër. Atë të njeriut që nuk e ka për gjë t’u thotë bashkëbiseduesve racistë, depresivë apo mashtrues, vetëm sepse ata mëtonin të mbronin idetë e tyre.
Ajo që ne mësuam nga përballja e kësaj të enjte, është se Erion Veliaj nuk është i njëjti personazh i qeshur, i paqtë dhe bamirës që na paraqesin kronikat fallco që shpërndan stafi i tij në bashki dhe që i transmetojnë me krahët (ose këmbët) hapur të gjitha televizonet tona.
Mjaftoi një ballafaqim i thjeshtë, jo me kritikët e tij më të fortë (duhet thënë se asnjë nga gazetarët në panel nuk ka firmën e tij mbi shkrime kundër Veliajt), që atij t’i dilte boja. Edhe me këtë oponencë të moderuar, ai u vizatua ashtu sikurse është. Një politikan që në vend të argumentave përdor fyerjet dhe kërcënimet. Një personazh i krijuar nga hiçi, që për ta kthyer në origjinë dalin e teprojnë vetëm pak doza gazetarie të vërtetë. /Lapsi.al