Nga Bledian Koka
‘Lali Eri’ është një term që Erion Veliaj e ka të mveshur që prej kohës kur ishte drejtues i Lëvizjes “MJAFT”. Të rinjtë e atashuar pranë lëvizjes simpatike asokohe, por që më pas pak nga pak u shndërrua dhe ka përfunduar në një kandërr që vegjeton në batakun e asaj që sot e njohim si “shoqëria civile”, i drejtoheshin kështu Veliaj 26 vjeçar. Erion Veliaj, është rasti i përsëritur i politikanit gjoja-idealist që katandiset në sharlatan rrugës drejt majës së pushtetit.
Vetëm se Veliaj ka një ndryshim të rrezikshëm me të singjashmit e tij. Veliaj nuk ka limite. Nuk e njeh sensin e masës. Aty kur për një politikan normal është vija fundore e abuzimit me pushtetin (dhe siç e dimë këta tanët janë Zot na ruaj), për Erion Veliaj mu aty fillon.
Po sjell në vëmendje vetëm rastin e fundit për të ilustruar se për çfarë po flasim. Prej dy ditësh, Fax News po ndjek nga afër një skandal mjedisor me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e banorëve të fshatit Pezë-Helmës. Si një fshat i majtë me mallkimin “Pezë”, banorëve atje u është taksur të kenë për fat edhe pjesën tjetër të toponimit, “Helmës”.
Prej një muaji, në një territor pronë e Bashkisë së Tiranës i cili ndodhet vetëm 150 metër vijë ajrore nga shkolla 9 vjeçare, dhe 500 metër nga shtëpia më e afërt, është ngritur dhe funksionon natën për hënë, një impiant i përpunimit të bitumit. Banorët thonë se zyrtarët e Bashkisë së Tiranës i garantuan para një muaji, (kur panë se aty diçka po instalohej) se bëhej fjalë për zhvendosje lodrash.
Ndërsa vetëm dy javë më pas ata vunë re se frymëmarrja e tyre sidomos gjatë mëngjesit nuk ishte ajo që ishte më parë. Se ndryshe nga aromat e bimësisë që thith çdo mëngjes një banor në fshat, ajri mbante aromë bitumi. Banorëve iu desh vetëm pak orë për të kuptuar se në terrenin pronë e Bashkisë së Tiranës, “Lali Eri” nuk u kishte dërguar lodrat e “7 Xhuxhave”.
Në vend të tyre banorëve u ishte lënë derë si “djali pa baba”, impianti i bitumit që lëshon në ajër hidrokarbure aromatike kancerogjene. “Këto grimca nuk ka filtër që i asgjëson”- deklaroi në protestë profesori i nderuar i fushës, Vladimir Merepeza. Vetë banorët e Pezë-Helmësit pranuan se si të majtë të vërtetë ata e kishin votuar me duart plotë “Lali Erin”, dhe se atyre ende nuk ishte tharë në faqe, pështyma e puthjeve të tij plot premtime prej sharlatani, (për këtë po citoj vetë deklaratat e banorëve).
Tani ku qëndron problemi këtu? Erion Veliaj ka vendosur të fshihet prej disa javësh në gjethen e fikut të mbjelljes së pemëve ndërsa ka ndërmarrë aksionin me agresiv të dhënies së lejeve të ndërtimit në zemër të Tiranës. Për të shmangur përballjen me qytetarët e Tiranës që i mashtroi me premtimin “zero leje ndërtimi”, ai vjen si kali në lëmë rreth një copëze toke në buzë të liqenit artificial, duke mbledhur aty ditë pas dite aktorë të matufepsur, gazetarë të shitur, këngëtarë e këngëtare sorra që po e përbaltin figurën e tyre duke u bërë makijazh i një termi të fëlliqur si “Lali Eri” që gjelbëron dynjanë.
Në këtë pikë Erion Veliaj ndryshon nga Edi Rama. Ndërsa në të njëjtën ditë që mbjell një pallat si hajdut, në po atë ditë mbjell edhe një pemë përmes pazarit me aktorin, gazetarin apo këngëtarin e radhës. Ndërsa Edi Rama në të njëjtën ditë që do ti ngulë një kullë në bythë Teatrit Kombëtar, në po atë ditë se ka për gjë ti zërë me shkelma bythëve aktorët që medek bzajn. Erion Veliaj se ka për gjë që në të njëjtën ditë që një tavan bie në një shkollë të rikonstruktuar prej tij, në po atë ditë ti kërkojë edhe para nxënësve që ai të mbjellë pemën e radhës.
Nga ana tjetër, Edi Rama në po të njëjtën ditë ndërsa i le pedagogët pa rrogë për një muaj, nuk e ka për gjë ti mbledhë ata në një cep të errët e ti thotë se në vlerësimin e tij ata janë thjeshtë bishti i kavallit. Në këtë pikë, Erion Veliaj ka vendosur të distancohet nga mënyra sesi bën politikë në raport me Edi Ramën. Ndryshe nga mentori i tij politik, Erion Veliaj zgjedhur të jetë e kundërta e shfaqjes së Edi Ramës si arrogant e i pabesë. Ai ka vendosur jetë “i mirë e i urtë” nën termin e fëlliqur “Lali Eri”…, por njësoj i pabesë.