Aktorë e regjisorë të karrierës, të mbështetur edhe nga të rinjtë e skenës së teatrit, kinemasë, studentë dhe profesorë të Universitetit të Arteve i kërkojnë Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, një takim për t’u përballur me dy çështje që ata i shqetësojnë.
Kërkesa u firmos nga mbi 70 artistë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve që u pri nga një diskutim mbi një orë. Mbi këtë çështje për herë të parë u shpreh publikisht edhe aktori i madh i skenës së teatrit dhe kinemasë Robert Ndrenika.
Ndrenika i është bashkuar protestës, ndërsa ka vënë theksin në atë që Tiranës i takon të ketë një teatër serioz dramatik, ashtu sikundër ka çdo kryeqytet i vendeve të Ballkanit.
“Plot shumë vite më parë edhe PPSH thoshte do bëjmë një teatër, por ky teatër nuk u bë. Edhe këto 27 vjet është folur se do të bëhet një teatër, por nuk ka patur pikë transparencë. Ajo që di unë është se prona e jonë, Teatri aktual, është një sipërfaqe 6-7 mijë metra katror, i cili është vjedhur dhe po vidhet sheshit, në mënyrë të hapur.
Vajtëm dhe pamë atë godinën te turbina. Ajo godinë është vetëm për fushatë elektorale, por jo për teatër.
Ajo fjala që i kam thënë ministreshës se unë do shtrihem te turbina dhe ajo që e ktheu me ironi po le të vijë të aktrojë në skenë, duket se ka qenë një fjalë me mend. Ne nuk do të lejojmë që të prishet Teatri, ndërsa për TOB-in të mos guxohet t’i qaset”,– tha i madhi Robert Ndrenika.
Protestat dhe deri në pezullimin e shfaqjeve janë dy nga propozimet e hedhura nga aktorët dhe regjisorët në mos zgjidhje të kërkesave të tyre. Një tjetër angazhim i Sindikatës së Artistëve të Skenë dhe Teatrit dhe atyre që nuk i përkasin asaj është krijimi i një nisme ligjore ku artistë të jenë pjesë në të ardhmen e çdo vendimmarrje për skenën e teatrit dhe kinemasë.