Pasi u pezullua kënga e tij nga Sanremo, këngëtari shqiptar Ermal Meta ka reaguar në një postim në Facebook.
Kënga e Ermal Metës në bashkëpunim me Fabrizio Moron ka ngjashmëri me këngën “Silenzio”, të prezantuar në edicionin e të rinjve të Sanremo në vitin 2016.
Meta sqaron se kënga “Silenzio” nuk u kualifikua në vitin 2016 në edicionin e të rinjve dhe nuk u komercializua. Sipas tij, kënga “Silenzio” ishte shkruar nga Andrea Febo në bashkëpunim me Fabrizio Moron, me të cilin u përjashtua nga Sanremo.
Këngëtari shqiptar thotë se ai së bashku me dy kolegët e tij kanë shkruar një këngë të re dhe kanë mbajtur një pjesë nga kënga e vjetër “Silenzio”.
Postimi i Ermal Metës:
“Tani është koha për të folur. Kemi dëgjuar të flitet se kemi kopjuar këngën tonë të Sanremos dhe shkaku i këtyre fjalëve është një këngë e shkruar nga Andrea Febo (së bashku me Fabricion) e cila u prezantua në seleksionimet e Sanremos për të rinj rreth 3 vite më parë, e cila nuk u kualifikua dhe kurrë nuk u komercializua. Fabricio, unë dhe Andrea kemi mbajtur një pjesë të asaj kënge për të mos sakrifikuar diçka të bukur (gjë të cilën e kemi bërë të ditur në shumë intervista) dhe të tre kemi shkruar një këngë të re me një kuptim tërësisht ndryshe.
Plagjaturë do të thotë të kopjosh, por kjo është absolutisht qesharake duke marrë në konsideratë se Andrea Fobo ka shkruar me mua dhe Fabricion këngën “Non mi avete fatto niente”. Gjithashtu të gjithë jemi autor prej shumë vitesh dhe kemi shkruar shumë këngë duke kontribuar për shumë suksese si për veten tonë ashtu edhe për të tjerët. Kush na njeh e di diçka të tillë. Kur kemi vendosur të tregojmë gjendjen tonë me këtë këngë nuk e kemi bërë për ta prezantuar në Festival, por për të folur për paqe. Jemi shumë të keqardhur për atë që po ndodh pasi nuk kemi ardhur në Festival të tallemi me njerëzit, por për t’i përqafuar. Jemi të bindur që do shkojë çdo gjë mirë. Ju përqafoj Ermali”, shkruan Ermal Meta në Facebook.
“Silenzio” u këndua në atë kohë nga Ambra Calvani dhe Gabriele de Pascali. Kënga e Metës dhe Moros është krijuar nga i njëjti autor, Andrea Febo.