Nga Gëzim Kabashi
45 vjet krijimtari e zgjedhur poetike e autorit Nazmi Roli është publikuar këto ditë nga shtëpia botuese “Ombra GVG”, në vëllimin “Rrathë uji”, një nga botimet luksoze të tregut shqiptar të librit.
“Në mijëra nuanca thyhen vargjet, në çastin kur drita bie mbi “Rrathë uji”, e struktura e qendrës vjen duke u shumëfishuar e sfumuar për në pafundësinë e periferisë, drejt zhdukjes së tingullit në flatra pulëbardhash– shkruan botuesi Gëzim Tafa në parathënien e vëllimit, dhe duke vlerësuar poetin Nazmi Roli nënvizon: “Në “Rrathë uji” luhet sinfonia e detit”.
Nazmi Roli nuk është poeti që e takon në Google. Për ta kuptuar atë duhet ta lexosh me kujdes.
Në përmbledhjen e re ai vjen edhe me një autointervistë të gjatë, ku ritregon Kavajën dhe vetveten që nga fundi i viteve 1940, bashkëqytetarët, mësuesit, miqtë, autorët, poetët, gëzimet, kënaqësitë, por edhe zhgënjimet.
“Rrathë uji” përmbledh poezitë më të mira të 10 vëllimeve poetike të autorit kavajas Nazmi Roli, të botuara në periudhën 1970-2015.
I njohur edhe si prozator Nazmi Roli, perifrazon Niko Kazanzaqin lidhur me krijimtarinë: “Nuk është Zoti që do të na shpëtojë, ne duhet ta shpëtojmë veten, duke u përpjekur, duke krijuar, duke e shndërruar lëndën në shpirt”.
Krijuesve kavajas, poetit Nazmi Roli e botuesit Gëzim Tafa, në këtë vëllim i bashkohet me portretet dhe ilustrimet e saj, edhe piktorja Inxhiriana Roli, bashkëshortja e poetit.
“Rrathë uji” është një vëllim që dëshmon këndvështrimin e autorit: “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”.