Bashkim Hoxha, gazetari dhe shkrimtari i njohur durrsak, sot mbush 64-vjeç dhe ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për të festuar.
Pasi ka mbyllur emisionin e mëngjesit "Koha për t’u zgjuar", të cilin e drejton prej më shumë se 20 vitesh dhe ku qytetarët shqiptarë shprehin problematikat e tyre, i është bashkuar aksionit për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë nënkalimit Mjull-Bathore.
Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi gjestin e tij, si një detyrë qytetare, e cila së pari jep shembullin e mirë për të kontribuar në më shumë ajër të pastër për fëmijët e kryeqytetit.
"Jam posaçërisht i lumtur sot që në këtë aksion, edhe pse ditë me shi, na është bashkuar një nga njerëzit më të dashur për shqiptarët, Bashkim Hoxha, i cili sot ka edhe ditëlindjen. Nuk besoj se ka mënyrë më të bukur për të festuar ditëlindjen se me mbjelljen e 100 pemëve në këtë zonë të Pyllit Orbital të Tiranës. I jam pafund mirënjohës sot Bashkimit për qytetarinë e treguar. Nuk mjafton të jesh vetëm gazetar i mirë, nëse s’je qytetar i mirë."
Gazetari Bashkim Hoxha përshëndeti nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, si një garanci për të ardhmen e brezave.
"Është një ditë e veçantë për mua. Është ditëlindja ime dhe gjëja më e mirë dhe më simbolike është pikërisht të mbjellësh një pemë për të ardhmen sepse ditëlindja, në moshën time, numëron vitet që ikin. Pikërisht, në këtë ikje vitesh, mbjellja e një peme për të nesërmen bëhet akoma më e domosdoshme dhe është një iniciativë që unë e përshëndes me gjithë shpirt."