Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” kanë hapur një ekspozitë me skica dhe vizatime, në të cilat kanë pasqyruar objekte arkeologjike me shumë vlera për qytetin e Durrësit.

Ekspozita e veçantë është hapur në ambientet e Muzeut Arkeologjik, në kuadër të aktivitetit “Miqtë e vegjël të muzeut”.   

Punonjësja e muzeut, Antigoni Gjergji, tha se janë ekspozuar rreth 30 skica (punimet më të mira), të nxënësve të kësaj shkolle.

Gjergji thotë se veprimtari të tilla i sjellin nxënësit sa më pranë trashëgimisë kulturore të qytetit dhe vlerave të muzeut.

Kjo do ta bëjë edhe të ardhmen e tyre shumë interesante. Sipas Gjergjit, janë planifikuar disa veprimtari të tilla në muajt e ardhshëm.

K.H.