Gjykata e Arbitrazhit Sportiv hoqi skualifikimin e përjetshëm për 28 nga 43 atletët rusë të akuzuar për doping shtetëror në Olimpiadën Dimërore “Sochi 2014”. I vetmi që kishte hequr dorë nga apeli ishte Macim Belugun, që kishte rezultuar pozitiv ndaj steroidëve në testet e reja.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i konsideroi të pamjaftueshme provat për të konstatuar lidhjen e sportistëve me sistemin e dopingut të ngritur në nivel shtetëror, që çoi në përjashtimin e Rusisë nga Lojërat e “Rio de Janeiro 2016” dhe nga ato që pritet të nisin në Korenë e Jugut.

Një zëdhënës i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv bëri të ditur se 28 sportistët mund të rikërkojnë përfshirjen në lojërat Olimpike të Dimrit në Kore, por pjesëmarja e tyre duhet të dekretohet nga një komision i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa sekretari i përgjithshëm i gjykatës, Matthieu Reeb, deklaroi se kjo nuk do të thotë se 28 atletët janë deklaruar të pafajshëm, por në rastin e pamjaftueshmërisë së provave, sanksionet ndaj tyre janë anuluar, duke iu njohur rezultatet që kanë arritur në Sochi.

Skandali i dopingut çoi në tërheqjen e 13 nga 33 medaljet e fituara nga Rusia në lojërat e 2014-ës. Tani mbetet që atletët të garojnë pa flamur, pa himn dhe pa uniformë në lojërat që fillojnë pas pak ditësh me një delegacion që deri tani është përbërë nga 169 atletë, që konsiderohen të pastër. Nuk do të sfilojnë në ceremoninë e hapjes dhe nuk do të jenë të pranishëm si skuadër në dhënien e medaljeve.