Një minator është plagosur rëndë këtë të premte teksa është rrëzuar në nivelin 14 të galerisë së kromit në Bulqizë.
“Rreth orës 11:00, salla operative e policisë Bulqizë, ka marrë njoftim se është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës, një shtetas, i cili është dëmtuar në minierën e kromit.
Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor shkuan në ambientet e spitalit dhe në vendin e ngjarjes ku nga verifikimet paraprake kanë konstatuar se në ambientet e brendshme të një galerie kromi, në Bulqizë, në nivelin 14, nënkati i 4-t, shtetasi N.Gj., rreth 55 vjeç, banues në Vajkal Bulqizë, (punëtor), duke punuar dyshohet se është shembur një masiv shkëmbor duke e dëmtuar në pjesën e këmbës”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë së Dibrës.
I dëmtuari pasi mori ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bulqizës, është nisur me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.





