Rehars Sina, i njohur ndryshe nga shoqëria edhe si “Rey”, 27-vjeçari me kombësi shqiptare, është zhdukur nga shtëpia e tij në Terni të Italisë.
Sipas asaj që është raportuar nga familja në komisariatin e policisë në Terni, djali, nga mbrëmja e 22 janarit, ka humbur pa gjurmë dhe telefonin e ka të mbyllur, raportojnë mediet lokale.
27-vjeçari është një person i njohur në qytet, pasi ka punuar kamerier në shumë lokale të qytetit dhe fotoja e tij është shpërndarë nga policia në të gjitha komisariatet e policisë, me shpresën se mund të gjendet shëndoshë e mirë.
Edhe miqtë e tij të ngushtë po përpiqen në çdo mënyrë që të kuptojnë se çfarë e detyroi djalin shqiptar të largohet nga shtëpia në periferi të qytetit, ku jeton me familjen e tij.
Nëna e tij u ka thënë efektivëve se për njëfarë kohe djali nuk dilte më nga shtëpia si më parë dhe miqtë po i “braktiste” gjithmonë e më shumë, pasi nuk dilte t’i takonte.





