Nga Bledian Koka
LSI-ja ka shumë mëkate për të larë për 4 vite qeverisje dhe vetë unë i pari e kam hedhur gurin e parë të akuzës sa më ka zënë dora. Asnjë pendesë nuk kam për këtë. Pushteti është gjithmonë i fëlliqtë, opozita i bën nder gjithkujt që e përqafon. Qoftë edhe me pahirin e votave që nuk të japin pushtetin e pretenduar, qoftë edhe me dëshirën për të vazhduar për të qenë në tepsi. Llogaritë nuk bëhen kurrë në kalë, por në këmbë.
Sot LSI-ja është në këmbë bashkë me PD-në, me angazhimin e Monës për të bërë opozitë. Unë nuk besoj shumë tek kartat morale të opozitëbërjes, këto 4 vite e gjysmë të fundit ato janë zvetënuar më shumë se kurrë. Por mes opozitës opake, dhe inekzistencës së opozitës fare, ne duhet të zgjedhim gjithmonë të parën.
A duhet ti bëjmë rixha LSI-së që të bëjë rolin e vet si parti opozitare? Jo!… A duhet ta nxisim atë të luftojë më fort në opozitë? Gjithë ditën!… Sot LSI-ja (edhe për hir të inatit të skraparllinjve pa pushtet) është e rreshtuar qartazi në opozitë. Ndonjëherë me një marsh më shumë kundër Edi Ramës se PD-ja. Kjo nuk e bën PD-në më pak opozitë sot, se LSI-ja në pushtet deri dje.
Ajo çizme e lëshuar nga Kryemadhi drejt Edi Ramës në seancën e 18 Dhjetorit, në analizën e replikës me pushtetin besoj se ka ngjitur po aq fort sa çadra 2 mujore e PD-së një vit më parë. Koalicioni “Çadër-Çizme”, qartazi i shërben më shumë opozitës, sesa marrëveshja e 17 Majit. Në fund të fundit Rama nuk u rrëzuar as nga çadra Lulit e aq më pak nga çizmja Monës. Fakti që disa zëra brenda PD-së, kanë filluar të shtrembërojnë turinjtë në raport me raportin Basha-Kryemadhi me idenë se koalicioni PD-LSI është i panatyrshëm, apo se ministrat LSI-së kanë qenë kolegë me Tahirin, Beqjajn, Gjiknurin dhe Ahmetajn qartazi nuk qëndron.
Ata që refuzojnë sot frontin opozitar Luli-Mona, janë po ata që nuk kanë thënë asnjë fjalë për marrëveshjen Rama-Basha (në mos fërkojnë duart e përfitojnë prej saj). Përtej llastimeve politike të neo-demokratëve që bëjnë sikur janë të lirë të thonë të tyren edhe mbi veprimet e kryetarit që i solli nga asgjëja në PD, zjarri përçarës brenda frontit opozitar që ende nuk e ka provuar veten si të tillë, tregon se ata ose janë të pasinqertë ose janë të ligë. Budallenj asesi!. Sali Berisha ka punuar një jetë për të përçarë të majtën, sepse për hir të një indoktrinimi gati 50 vjeçar, rezulton se votuesi shqiptar çalon mëngjër.
PD dhe LSI kanë ç’të ndajnë në tepsinë e opozitës, dhe 27 Janari është një provë e parë. E dyta dhe më e rëndësishmja është ajo e zgjedhjeve lokale 2019 (dashtë Zoti dhe më shpejt). Nëse ata që kundërshtojnë frontin opozitar PD-LSI sot, nuk e kanë idenë se të vetmen mundësi politiko-elektorale që kanë për të replikuar sa më fort të jetë e mundur QeveRilindjen, është ky bashkim “i panatyrshëm”, atëherë me plot gojë mund të thuhet se ose ata pak individë demokratë janë shitur, ose më keq akoma janë të blerë. Gjithmonë kjo duke shpresuar se Lulzim Basha nuk di gjë, dhe ata e bëjnë me kokën e vet!…