Riccardo Cocciante mbërrin në Tiranë. Kantautori i njohur italian shoqërohej nga bashkëshortja, Catherine Cocciante me ftesë të drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar, për natën e çeljes së edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës. Në aeroport, artisti i njohur është pritur nga Drejtori i Festivalit të 56-të, z. Martin Leka.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra e medias e Festivalit të Këngës në RTSH thuhet se ai ka falënderuar Radio Televizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar, edhe një mënyrë, për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist.
Midis të tjerash, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tone, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin kur ajo fitoi ‘The Voice of Italy.”
“Ajo e meritoi dhe publiku Italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me Notre Dame de Paris në versionin francez. Do ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin Notre Dame në Shqipëri”, ka përfunduar ai, sapo ka shkelur në tokën shqiptare.