Përmbytja e autostradës Tiranë-Durrës ka ndodhur përsëri prej projektit të mbjelljes së palmave, i cili ngushtoi ose i mbylli fare kanalizimet. Kjo është një situatë e re që është shfaqur në këtë rrugë kombëtare, vetëm pas projektit palmor të kryeministrit Edi Rama.
Midis rrugës dytësore dhe autostradës është kanali ujëmbledhës i gjithë autostradës. Ky kanal ishte në kuotë të ulët, por meqë duhej patjetër që projekti i palmave të dilte bukur i ngritën kuotën kanalit, duke ulur kapacitetin ujëmbledhës së tij dhe për pasojë ai i derdh ujërat tek bizneset anësore. Është pikërisht ky shkaku që përmbytja ndodh tashmë përherë në të njëjtën pikë, ku dhe kuota e rrugës është më e ulëta.
Po në nëntor të vitit shkuar ka ndodhur e njëjta gjë me autostradën. Në atë kohë mbi 30 biznese të autostradës Tiranës-Vorë deklaruan më shumë se 10 milionë euro dëme nga përmbytjet e mëngjesit të 8 nëntorit të vitit 2016. Të gjendur përballë indiferencës totale të pushtetit vendor të Vorës, Tiranës dhe institucioneve qendrore, ata u bashkuan dhe kërkuan reagimin e institucioneve.
I kanë dërguar madje një letër qeverisë, ku shprehën zemëratën e tyre dhe kërkonin pikësëpari marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen. Kërkonin në mënyrë urgjente të niste pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë). Bëhet fjalë për biznese të mëdha që mbajnë peshën më kryesore të të ardhurave në tatime.
Natyrisht, vjet me kalimin e situatës së emergjencës askush nuk e vuri më ujin në zjarr dhe pas një viti nuk e pësojnë vetëm bizneset, por edhe qytetarët e thjeshtë, të cilët mbetën dje peng në mes të ujit, u është dëmtuar malli që patën blerë dhe makinat, me të cilat po shkonin në qendrat tregtare të zonës ditën e djeshme. Ndaj, natyrshëm vijnë pyetjet e mëposhtme:
A ka faj qeveria që fle gjumë?
A i dëmshpërblen kush qytetarët dhe bizneset për humbjet e mëdha, meqë Ramës iu tek të mbillte palma?
A është vetëm e qeverisë dhe e qeverisë përgjegjësia për këtë dëm të madh ekonomik në kurriz të taksapaguesëve të saj?
Për palmat dhe dëmet e tyre do mbajë njeri përgjegjësi?
Dhe e fundit a del e qartë që kryeministri duhet ta kuptojë që forma nuk është kurrsesi përmbajtje? 27.al