Renard Tata, i cili etiketohej si “i paprekshmi” dhe “i forti” i Shkodrës ra dje në prangat e policisë në operacionin “Forca e Ligjit” i cili ka vetëm pak ditë që ka nisur, së pari në Fier, e dje Shkodra ishte qyteti i dytë ku ai goditi bandën kriminale që merrej me shfrytëzim prostitucioni.

Arrestimi u bë në momentin që vajzat po shfrytëzoheshin për prostitucion. Report Tv mëson se grupi ishte prej disa muajsh në përgjim ambiental dhe telefonik.

Pas arrestimit të 7 personave ditën e djeshme, policia i ka marrë në pyetje, ndërsa ata kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura për prostitucion. Ata kanë deklaruar se ishin duke qëndruar në lokal, por “nuk po prisnim klientët për prostitucion”.

Megjithatë, pavarësisht dëshmive, dosja është kopsitur nga prokuroria.

Rinard Tata, i njohur ndryshe edhe me emrin Frederik, nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai akuzohet si bashkautor i një vrasjeje të ndodhur me 14 janar 1999 në lagjen “Vojo Kushi”, në Shkodër, ku ai së bashku me Behar Bajrin u akuzuan se kishin ekzekutuar vëllezërit Artur e Osman Alibali, përkatësisht 35 dhe 37 vjeç.

Përveç ndryshimit të emrit, ky person rezulton edhe me dy mbiemra, ku shfaqet njëherë me mbiemër Tata dhe njëherë me Tota.