Kur pritej të identifikohej kufoma e gjetur në Itali, që dyshohej se i përkiste avokatit të zhdukur Besnik Muço, mësohet se kufoma e gjetur në det është pa kokë, e gjymtuar dhe pa rroba dhe prokurorët italianë kanë kërkuar kryejen e analizës së ADN-së.

Referuar medieve italiane, thuhet se trupi i gjetur është shumë i gjymtuar dhe duket se nuk ka kokë, ndoshta për shkak të përplasjes së vazhdueshme me shkëmbinjtë në det.

Prandaj është e pamundur që autoritet e Lecces të japin një identifikim të kufomës dhe do të jetë testi i ADN-së ai që do të tregojë së kujt i përket trupi i gjetur.

Familjarët e avokatit, shkruajnë mediat italiane, janë tronditur shumë nga ky lajm i fundit.

Besnik Muço  rezulton i zhdukur që prej datës 2 nëntor teksa po udhëtonte me traget drejt Italisë me linjën Durrës –Bari.

Pas denoncimit të bërë në policia nga bashkëshortja e tij, Rajmonda Muço, policia dhe prokuroria italiane kanë nisur hetimet.

Pak ditë më parë policia e Durrësit gjeti në tragetin e linjës Bari- Durrës, sende personale të avokatit Muço. Bëhet fjalë për një çantë, një xhup dhe një leje qëndrimi italiane. Sendet iu dorëzuan autoriteteve italiane.