Nga Andi BUSHATI
Shumë socialistë të thjeshtë mund të kenë mbetur të shokuar kur kanë dëgjuar shefin e tyre ta radhiste edhe Top Channel – in mes mediave të kazanit. Në memorien e tyre mund të jenë fanepsur menjëherë, kronikat e panumërta për mëkatet e familjes Berisha në Gërdec, videoja e përgjimit të Ilir Metës, pamjet shokuese të vrasjeve të 21 janarit, intervista e investitorit pakistanez që tregonte për përqindjet që i kërkonte Argita Berisha, po ashtu dhe kronikat e panumurta që vërtetonin se si po manipuloheshin zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Shumë prej tyre me siguri kanë menduar: sot ne jemi në pushtet edhe se pse ka ekzistuar Top Channel.
Por, sikur të gjitha këto t’i përkisnin një të shkuare të harruar, Rama e ka futur televizionin më të madh në vend mes ingranazheve të makinerisë së baltës.
Aludimet kanë vazhduar edhe më tej. Zyra e shtypi të kryeministrit po shpërndan ngado lajmin se të gjitha kritikat e artikuluara në javën e fundit nga Top-i janë rrezultat i një hakmarrjeje meskine. Sipas tyre ato vinë me urdhër nga presidentja e TV, Vjollca Hoxha e cila ka dështuar në një inisiativë për ta trajtuar pushtetin e rilindjes si tepsi dhe për të vendosur një njeriun e saj në krye të një ndërmarjeje të rëndësishme publike.
Sikur kjo thashethemnajë të mos mjaftonte, njerëz shumë pranë Ramës po e arsyetojnë hidhërimin e znj. Hoxha me një lloj xhelozie që ajo ka ndaj konkurentit të saj kryesor, TV Klan, dhe benefiteve publike që atij po i jep qeveria.
Askush nuk mund të vërë bast nëse këto pretendime janë thjeshtë “Fake news” apo të vërteta fatkeqësisht të hidhura.
Askush, po ashtu, nuk mund të vërë dorën në zjarr se pronarët e mediave të mëdha në këtë vend, – e këtu nuk bën përjashtim as znj. Hoxha – nuk vendosin të tilla raporte me pushtetin dhe nuk kanë me kryeministrin marëdhënie që shkojnë në dëm të interest publik.
Por, pavarësisht nga këto, le të besojmë për një moment se shpjegimi që po përpunohet në zyrat e kryeministrisë është real. Le ta marrim të mirqenë se Top Channel ka filluar të shkrepi armët kundër Ramës, pasi pronares së tij nuk i’u bë një favor. Le të pranojmë symbyllur se revolta që vjen nga piramida, është rjedhojë e konkurencës së pandershme që po i bën Tv Klani i mbështetur nga përfitimet që po merr nga lidhja me Ramën.
Pra edhe po të pranojmë se në kontekstin e këtij sherri nuk ka asgjë të kulluar, parimore dhe në dobi të publikut, përsëri Vjollca Hoxha ka të drejtë ndaj Ramës.
Dhe kjo për dy arsye kryesore, si ekonomike, si historike.
Së pari ekonomikisht, në sistemin që ka ngritur Edi Rama Top Chaneli nuk mund të mbijetojë, kur financat e konkurentit të tij kryesor, bymehen nga qeveria me leje për grataçiela, tendera publikë, hapje rrugësh të reja që çajnë malet.
Nëse në konkurencën e vështirë të tregut të televizioneve, dikë që di të shërbejë si bythëlëpirës më i mirë, qeveria e shpërblen më shumë, kjo padyshim do ngjalli revoltën njerzore të palës tjetër.
Por, përpos anës ekonomike, Top Chanel ka edhe një raport moral dhe historik me të shkuarën e vet të afërt. Për çdo drejtues të këtij institucioni, për çdo gazetar me emër të tij, është e pakapërdishme që një qeveri në hall, siç është kjo e Edi Ramës sot, t’u bëjë favore atyre mediave që u reshtuan dje me një qeveri tjetër në hall, atë të Berishës, pas Gërdecit dhe 21 janarit. Për secilin nga ata besoj se është e papranueshme që gjithmonë të gjejnë palë me kryeministrin të njëjtët që ishin pro gardistëve të djeshëm dhe të njëjtit që janë pro kanabistëve të sotëm.
Prandaj, sado të paprincipta që të jenë në dukje, sado të papranueshme të ngjajnë në formë, sado të nxitura nga histeritë, qefmbetjet apo xhelozitë e znj. Hoxha të duken sulmet e Topit ndaj Ramës, në thelb ato janë legjitime. Sado të ketë fituar prej tij, sistemi i ngritur nga kryeministri, i ka rënë në qafë televizionit më të madh në vend. Ai ka rritur dhe bymyer artificialisht rivalët e tij, vetëm për faktin e thjeshtë se ata dinë të shërbejnë më mirë.
Ndërsa, nga ana tjetër, për historinë e përbashkët dhe për të rrugën prej nga vijnë, Rama e ka moralisht të pamundur të hedhi baltë mbi Top-in. Socialistët e zakonshëm nuk do ia kuptonin një piruetë të tillë. Ai nuk e ka luksin të dalë para kamerave dhe të thotë: “të fala Vjollcës”.
Prandaj, përpara se të bëjë moralistin fallco, atij i leverdis më mirë të sillet (ashtu siç ka bërë në fakt gjithmonë) si shefi i vërtetë i tepsisë dhe të dorzojë pak llokma pushteti edhe për një media tjetër kazani. Dhe mos e ketë merak, në Klan askush nuk do t’i zëmërohet. Sepse ata dinë gjithnjë të marrin diçka më shumë. /lapsi.al