Megjithëse gëzonte një popullaritet të gjerë, Hoxha nuk mundi të siguronte mbështetje të plotë brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Fakti që në listën prej 40 emrash mungonin firmat e disa prej drejtuesve më të lartë të PD-së, me peshë edhe në sallën e Kuvendit, tregonte se diçka nuk po shkonte siç duhet
President i Republikës tashmë është z. Bujar Nishani, i cili mblodhi 73 vota gjatë votimit të zhvilluar në kuvend një javë më parë. Me zgjedhjen e tij morën fund debatet e shumta në lidhje me emrin e kreut të ri të shtetit. Proçesi i përzgjedhjes së kandidaturave për nga mënyra që u ndoq ishte një zhvillim në tërësi për klasën politike. Mazhoranca propozoi emra me integritet si Xhezair Zaganjori dhe më pas Artan Hoxha (emra realisht tepër afër presidencës) pavarësisht se në fund Bujar Nishani u zgjodh President pa votat e opozitës, që preferoi të qëndronte në sallë, por të mos merrte pjesë në votim. Natyrisht që në fokusin e debateve dhe analizave të opinionistëve, gazetarëve politikë, politikanëve, pse jo dhe qytetarëve tërhoqi vëmendje të konsiderueshme emri i Artan Hoxhës. Brenda një dite (më saktë brenda 12 orësh) Hoxha u prezantua fillimisht si Presidenti i “mundshëm”, por më pas dorëheqja e tij la jo pak të habitur të gjithë, pasi gjithçka ishte bërë gati për të nisur proçesi i votimit në Kuvend. Opinioni i gjerë dhe sidomos Durrësi (qytet ku Hoxha është rritur dhe ka dhënë një kontribut realisht të konsiderueshëm në jetën politike) e mirëpriti kandidaturën e tij, por në të njëjtën kohe u “habit” me tërheqjen pa koment të tij.
Kandidaturën e Hoxhës, për nga mënyra që u propozua dhe për nga konteksti që ka profili i tij, opozita mund ta sulmonte, por jo ta cilësonte si “njeri i oborrit të Berishës”. Arsyeja dhe argumentet që do të paraqis këtu janë personale pse jo dhe tërësore. Në Shqipërinë tonë të dashur është e vështirë që të gjendet një personalitet, individ, qytetar, etj. që të paktën të mos ketë shprehur mendimin e tij apo edhe preferencën politike. Artan Hoxha, me profilin e tij mediatik si një ekspert i marrëdhënieve me publikun si dhe një prej opinionistëve që ka krijuar një profil të lartë në rrethet mediatike, kishte rastin e shkëlqyer të ishte President i Republikës. Kalimi i tij në Presidencë do t’i jepte këtij institucioni një rol të munguar prej kohësh, duke e sjellë më afër kornizave kushtetuese pse jo, në një institucion të “hapur” dhe më pak konfliktual. Politika shqiptare në tërësi si dhe copëza individësh që të kaluarën e tyre e “fshehin” mbas pushtetit dhe imunitetit janë pjesa më e përfshirë në ligjin e “lustracionit” si dhe në atë të “heqjes së imunitetit”. Megjithëse gëzonte një popullaritet të gjerë, Hoxha nuk mundi të siguronte mbështetje të plotë brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Fakti që në listën prej 40 emrash mungonin firmat e disa prej drejtuesve më të lartë të PD-së, me peshë edhe në sallën e Kuvendit, tregonte se diçka nuk po shkonte siç duhet, për më tepër kur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat të zhvilluar me dyer të mbyllura u formulua teza: “Kemi informacion se kur ka qenë 17-18 vjeç, ai ka shkëmbyer informacion me një punonjës të ish-Sigurimit të Shtetit”. Artan Hoxha nuk e meritonte të akuzohej dhe të poshtërohej në një mënyrë të tillë. Duke parë situatën e krijuar para zgjedhjes së kreut të ri të shtetit Hoxha i bënte nder deputetëve dhe politikanëve që e propozuan, pasi nuk ofronte dhe nuk përcillte konflikt (siç e faktoi me tërheqjen e tij). Tërheqjen e z. Hoxha unë e përkthej: Konflikt nuk ofroj, i tepërt nuk pranoj. Realisht, të penalizosh apo të akuzosh një person mbi bazën e informacioneve që mund të jenë të pa faktuara është një gjë normale për politikën shqiptare. Të drejtat e të akuzuarit dhe të akuzuesit nuk po merren më parasysh dhe shpeshherë persona të ndryshëm përbalten me akuza, që në shumicën e rasteve nuk janë vërtetuar. Hoxha, duke i qëndruar besnik karakterit të tij dhe personalitetit të krijuar gjatë gjithë këtyre viteve, preferoi më shumë të tërhiqej dhe të ndiqte rrugën gjyqësore sesa në ngjitej në Presidencë me akuza të pa faktuara e që hidhnin baltë mbi figurën e tij.
Pas largimit nga gara, Hoxha shpërndau një deklaratë për shtyp në të cilën mundohej të hidhte dritë mbi arsyet e dorëheqjes së tij. Ndër të tjera ai shkruante: “Kam shpresuar se proçesi presidencial do të mbante frymën minimale të mirëkuptimit dhe konsensualitetit madje dhe kam marrë me qindra e qindra mesazhe urimi një pjesë e mirë, e të cilave më kanë ardhur nga individë brenda dhe pranë Partisë Socialiste. Kam vazhduar të shpresoj se proçesi presidencial premtonte ende mirëkuptim dhe konsensus, por duke parë qëndrimet e eksponentëve socialistë dhe pranë tyre, të cilët filluan të përdorin me agresivitet dhe egërsi të gjitha llojet e akuzave të bajatosura në këto 22 vite, përfshi shpifje dhe shantazhe, arrita në përfundimin se proçesi presidencial nuk mund të ketë as minimumin e civilizimit dhe të, dhe aq më pak të vullnetit të mirë për zgjidhje të arsyeshme dhe konsensuale. Arrita të kuptoj se në proçesin presidencial për shkak të interesave politike nuk lejohet të kontribuojnë faktorët civilë. Unë e kam ndjekur nga shumë pranë proçesin presidencial, kam komentuar dhe kam shkuar në favor të zgjedhjes së arsyeshme dhe konsensuale. Mendova të kontribuoj në instancën e fundit për të njëjtin qëllim, por për gjithçka çfarë shpjegova më lart deklaroj se nuk mund të jem më pjesë e vazhdimit të këtij proçesi, i cili me sa duket paralajmëron furtunë.”
Në një intervistë, në datën 15 prill 2012, për të përjavshmen “Dyrrah” Artan Hoxha, pyetjes për një rikthim të mundshëm në politikë iu përgjigj se,- “objektivi im absolutisht parësor është suksesi i Tirana Business University, të cilin e kam themeluar bashkë me dy partnerë të tjerë dhe ku po investoj kohë, ide dhe kapital. Angazhimi politik i drejtpërdrejtë nuk bën pjesë në objektivat e mia dhe vështirë që të bëjë pjesë të paktën edhe për disa vite. Pjesëmarrja në debatet publike në media si dhe angazhimet me studime e rekomandime për disa reforma institucionale, ligjore dhe ekonomike prej shumë vitesh tashmë janë, tërthorazi, edhe angazhime politike”. Gjithnjë në një tekst duhet të lexosh nëntekstin dhe z. Hoxha në përgjigjen e tij lë për të kuptuar shumë më tepër. “Angazhimi politik i drejtpërdrejtë nuk bën pjesë në objektivat e mia”,-është një përgjigje elegante për të thënë se jam në pritje dhe koha do ta tregojë
Qëndrimet e deputetëve të Durrësit
Qëndrimet e deputetëve të PD, PS dhe LSI-së në qarkun e Durrësit ishin të ndryshme, por në kontekstin e përgjithshëm sollën një pasqyrë të ngjashme me zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë. Klodiana Spahiu, deputete e Partisë Socialiste është shprehur në lidhje me kandidaturën Hoxha në media se: “Shqipërisë nuk i mungojnë figurat e spikatura e që i plotësojnë kushtet për të qenë President i Republikës. Sa për dorëheqjen e z. Hoxha nuk i di arsyet, por them që pavarësisht se është “avokat” i qeverisë, nuk mund të thotë gjithmonë PO, siç e bën rëndom një “noter” i saj”. Spahiu i qëndron besnike vijës së grupit parlamentar të PS-së duke mos diferencuar mendimin e saj nga mendimi i liderit të opozitës z. Rama. Ndërsa deputeti i LSI-së Lefter Koka, duke rikujtuar negociatat dhe lakimin e emrit të z. Hoxha, është shprehur në media se,- “në përfundim të negociatave dhe mos gjetjes së konsensusit nga ana e PS-së, mazhoranca për të bërë proçesin sa më pak politik vendosi që kandidati të jetë z. Hoxha, si një kandidaturë e shoqërisë civile.
Por presioni i ushtruar bëri që z. Hoxha të tërhiqet nga gara pa hyrë në votim. Mendoj se ishte një kandidat i përshtatshëm”. Ndryshe nga znj. Spahiu në rastin e z. Koka arrihet të ndahet mendimi personal nga mendimi i grupit politik që përfaqëson, pavarësisht interesave të tërthorta. Deputeti Koka ka një mijë arsye që të mbështesë z.Nano, por kur vjen çështja e mendimit të tij në lidhje me z. Hoxha jep vlerësime maksimale. Ndërsa deputeti Igli Cara është shprehur se,- “Artan Hoxha ishte dhe mbetet një figurë që me profilin e tij, të profesionistit dhe analistit i bëri nder proçesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ndjej keqardhje për dorëheqjen e tij, që është e drejtë e tij”. Mbështetja e z. Cara është e pakursyer, natyrisht e formësuar në një prej firmave të 40 deputetëve, të cilët dhanë një mbështetje shembullore nëse do ta krahasonim me listat e firmëtarëve ndër vite.
Postuar në Facebook për Durrsakët (14 qershor 2012)
Artan Hoxha
Ky status është në veçanti për miqtë durrsakë, një pjesë e të cilëve më kanë njohur që në gjimnaz, kohë kur pretendohet se qenkam bërë bashkëpunëtor i sigurimit
Të nderuar miq
Ju falënderoj pa masë për vazhdimin e mesazheve të shumta mbështetëse.
Doja t'ju bëja me dije se, pas të hënës me fare pak çaste mërzie, por shumë e gjatë dhe e lodhshme si dhe pas të martës kur bëra pak pushim të domosdoshëm, sot (dt 14 qershor) kam nisur zbatimin e prioritetit tim absolut, atë të pastrimit të baltës së hedhur në 20 vite që u rihodh njëherazi e përqendruar, e organizuar dhe me mënyra më të sofistikuara në veçse pak orë këtë të hënë. Gabimi im i vetëm është që i kam neglizhuar këto 20 vite. Këtë të hënë (11 qershor) sqarimi i tyre në aq pak kohë ishte i pamundur. Gjithashtu, nëse do të kisha vazhduar rrugën drejt Presidencës, pastrimi i baltës do të komprometonte postin dhe qëllimin tim lidhur me detyrën shtetërore. Ky do të ishte bumerang edhe për vetë pastrimin e kësaj balte. Nuk mund ta pastroj baltën duke rënë në konflikt, qoftë edhe aparent, interesi. Pastrimi në çdo rast do ishte i dyshimtë. Tashmë këtë do ta ndjek si qytetar i thjeshtë. Vetë, me durim, hap pas hapi në rrugë ligjore gërshetuar me komunikimin publik. Në radhë të parë akuzën më të ndyrë, atë të bashkëpunëtorit me sigurimin e shtetit por edhe të tjerat. E di që s'ka për të qenë e lehtë. E di që nuk është e pamundur.
Baltën dhe baltosësit nuk i neglizhoj më siç kam bërë deri më sot.
Pjesa tjetër e jetës dhe aktivitetit vazhdon njësoj si më parë”.