Mungesa e lefterakëve në sheshin e konteinerëve shkakton vonesa të shumta në proçesin e ngarkim shkarkimit në portin e Durrësit. Në portin më të madh në vend transporti i mallrave me konteinerë zë një volum të konsiderueshëm, që vit pas viti ka shënuar shifra gjithnjë në rritje. Janë mesatarisht 6500-7000 TEU ose rreth 150 mijë ton mallra që përpunohen çdo muaj në kalatën nr. 6.

Terminali i konteinerëve ka një siperfaqe prej 50.000 m2 dhe në të kryhen disa operacione: ngarkim-shkarkimi nga anija, transportimi, peshimi, depozitimi në shesh, kontrolli doganor me anë të skanerit etj. Secili nga këto proçese është i lidhur ngushtë me funksionimin e këtij terminali pasi bllokimi i një proçesi sjell bllokimin e punës në të tërë hallrat e këtij zinxhiri.

Aktualisht ngarkim shkarkimi i konteinerëve duhej të realizohej me mjetet e portit, por nga 4 që duhet të jenë normalisht në punë operon vetëm njëri. Të tjerët janë prishur dhe kanë nevojë të riparohen. Detyra kryesore e Autoritetit Portual është organizimi i punës në mënyrë të atillë që ky terminal,që është zemra e portit  të mos pushojë të punuari as edhe për një minutë. Por a është vërtetë kështu?

Që prej majit të këtij viti në terminal mungojnë lefterakët ngritës të konteinerëve (reachstacker) të cilët bëjnë të mundur ngarkim-shkarkimin e kontinerëve në kamion. Të gjendur para një situate të tillë spedicionerët që operojnë në këtë sektor përkatësisht kompania “Pelikan” dhe “Shega Trans” janë detyruar të sjellin mjetet e tyre për të bërë të mundur vazhdimin “normal” të punës në terminal.

Më të lehtë e ka patur kompania spedicionere “GALA” pjesë e Albania Stevador Company. Kjo e fundit operon prej vitesh në port dhe disponon mjetet për shërbimin e ngarkimit-shkarkimit të konteinerëve.

Kontrata me Kurum

Dy vjet më parë, Autoriteti Portual i Durrësit i dha kompanisë “Kurum” me konçesion për 35 vjet terminalin e konteinerëve, një konçesion shumë i debatuar aso kohe. Por çfarë ka ndodhur realisht, dy vjet më pas? Turqit e Kurum akoma nuk e kanë nënshkruar kontratën për të marrë në dorëzim terminalin dhe për t’u ofruar shërbim kompanive të transportit, pasi janë në kërkim të një tjetër partneri ekonomik, ndërsa Autoriteti Portual nga viti në vit e ka ulur efektshmërinë e këtij shërbimi, për të mos thënë që e ka lënë pas dore.

APD-ja fillimisht kishte në dispozicion 4 reachstacker, por kohë pas kohe ato kanë pësuar defekt e për pasojë vetëm një prej tyre është në funksion. Ai nuk mund të përballojë të gjitha kërkesat e operatorëve ekonomikë dhe njëkohësisht nuk mund të realizojë të gjithë volumin e punës në sheshin e konteinerëve. Për të mos bllokuar këtë proçes kompanitë transportuese e kanë zgjidhur përkohësisht me mjetet e veta problematikën e krijuar në terminal.

Kostoja në kurriz të biznesit

Kompanitë transportuese të konteinerëve në portin e Durrësit prej dy vitesh po i paguajnë me një kosto më të lartë shërbimet që ofrohen në terminal. Vonesat në operacionet e ngarkim shkarkimit, stivosjes dhe zhvendosjes së konteinerëve bosh dhe me mallra është problematika kryesore që i shqetëson ata.

Në të njëjtën kohë operimi i mjeteve të kompanive private në terminal, në një kohë që shërbimi i ngarkim shkarkimit të konteinerëve është ende një shërbim që duhet ta ofrojë Autoriteti Portual është një praktikë jo ligjore. Ajo që vihet re dhe që të thonë rëndom në hyrje të terminalit të konteinerëve është fakti se prej dy vitesh bizneseve u krijohen vonesa të shumta, por askush deri tani “nuk e ka vënë ujin në zjarr”.

Që prej majit të këtij viti në terminal mungojnë lefterakët ngritës të konteinerëve (reachstacker), të cilët bëjnë të mundur ngarkim-shkarkimin e kontienerëve në kamion. Nga katër të tillë që ka në dispozicion Autoriteti Portual, vetëm një prej tyre operon në terren. Tre të tjerë janë jashtë funksionit

Shoferët e kamionave që transportojnë konteinerë thonë se ka raste kur qëndrojnë me orë të tëra në pritje të ngarkesës së tyre, ndërsa më me fat konsiderohen ata shoferë që procesin e kryejnë në kohë të shkurtër. Megjithëse e ngrenë si shqetësim operatorët ekonomikë nuk parapëlqejnë të identifikohen  për të mos shkaktuar konflikte me APD.

Sipas tyre e gjithë kjo vonesë që shkaktohet ka një kosto të madhe që prek subjektin spedicioner, atë transportues, por edhe pritësit, i cili mallin nuk e tërheq dot në kohën e duhur. Në terminal sheh një numër i madh automjetesh transportues të konteinerëve që qëndrojnë me orë të tëra në rradhë në pritje të ngarkesave. Ata kërkojnë njëzëri që procedurat burokratike të marrin fund njëherë e mirë në këtë terminal.

Në një kohë kur Autoriteti Portual flet për lehtësi praktikash dhe shërbime mjaft të shpejta operatorët ekonomikë shprehen se realiteti me të cilin ata përballen çdo ditë provon të kundërtën.

Reagimi i APD-së

Burime nga Autoriteti Portual bëjnë të ditur se janë në pritje të firmosjes së kontratës me turqit e Kurum. Por nga ana tjetër kompania turke është në vështirësi ekonomike dhe APD është duke kërkuar një partner serioz dhe të besueshëm për këtë sipërmarrje. Për të mbushur vakuumin e krijuar e që rëndon në kurriz të operatorëve ekonomikë Autoriteti Portual pak muaj para deklarimit se terminali i konteinerëve u ishte dhënë me konçesion turqve të “Kurum” kishte kontraktuar marrjen me qira të katër reachstacker-ve, mjete shumë të rëndësishme për procesin e punës në ngarkim shkarkimin e konteinerëve.

Kontrata u lidh me kompaninë austriake “CARGOTEC”, kompani që operon në port këto tre vitet e fundit. APD mori me qira 4 mjete nga kjo kompani për t’i përdorur në terminal. “Vlera e kontratës për marrjen me qira të këtyre mjeteve ka qenë e lartë”,- tha një burim zyrtar për “Dyrrah”. Madje e njëjta kontratë është ripërsëritur edhe dy herë të tjera në afate 6 mujore.

Kontrata e fundit me “CARGOTEC” ka përfunduar në fund të muajit maj dhe që prej asaj kohe të gjithë operatorët ekonomikë në terminalin e konteinerëve janë përballur me vonesa, sepse APD që ka detyrimin ligjor t’u përgjigjet për çdo shërbim nuk po e kryen atë. Genti Çomo, përgjegjës në APD për terminalin e konteinerëve tha se “kemi qenë në pritje që Kurum të nënshkruajë kontratën me ne për të marrë në dorëzim terminalin kundrejt kushteve me të cilat është dhënë konçesioni për 35 vjet. Por këta të fundit nuk janë gati për shkak se kërkojnë partner tjetër ekonomik e për pasojë nuk është zgjidhur çështja prej dy vjetësh. Aktualisht APD duhet të kryejë një tender për të vënë në efiçensë terminalin e konteinerëve sepse në të kundërt problematika e ngritur nga subjektet private që operojnë në këtë terminal rrezikon të përshkallëzohet edhe më tej. Porti ka vetëm një mjet në dispozicion dhe ai nuk mund të kryejë në kohë të gjitha shërbimet që kërkojnë operatorët ekonomikë, të shumtë në numër në këtë terminal. Ne jemi në proces të privatizimit të të gjitha shërbimeve dhe kjo e ka bërë edhe më të vështirë situatën. Për mendimin tim, duhet të bëhet tenderi sërish dhe jemi në pritje”.

Tenderi dështoi në muajin korrik

Tenderi për shërbimin e reachstacker-ve dështoi në muajin korrik. Kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave, Seid Kërtusha, nëndrejtor i APD-së, tha se kur u mbyll gara për tenderin morën pjesë dy kompani, por asnjë prej këtyre nuk i plotësonte kriteret për të kryer shërbimin. Të dy firmat që morën pjesë në garë nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm si dhe mjetet që kërkoheshin. Në relacionin përmbyllës komisioni e shpalli tenderin të pafituar dhe kreu i APD-së hapi garë tjetër, për të marrë shërbimin e këtyre mjeteve. Nga burimet zyrtare në APD bëhet me dije se tenderi ka përfunduar dhe javën e ardhshme do të shpallet fituesi, i cili pritet të jetë firma “CARGOTEC”. Tre mjete që janë në pronësi të saj pritet të futen në funksion pas lidhjes së kontratës. Ndërkohë një mjet tjetër pritet të vijë dy javë më vonë bënë me dije të njëjta burime. Në 2009 Autoriteti Portual i Durrësit ka privatizuar shërbimin e mirëmbajtjes së pajisjeve. Cargotec e biznesit Kalmar zonë i është dhënë një mandat pesë-vjeçar për servisin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve kontrate nga ana e Autoritetit Portual Durrës.