Ndonëse ka kaluar një vit nga vrasja e volejbollistit të ekipit Teuta Juxhin Guza, për familjarët Xhini është ende gjallë. Prindërit dhe motra e tij bëjnë të pamundurën për të mos e harruar të dashurin e tyre që është ndarë nga ata kohë më parë. Në shtëpinë e familjes Guza që ndodhet në katin e nëntë të një pallati në lagjen Nr. 5 vend në të cilin dhe u sulmua barbarisht nga disa përsona ende të paidentifikuar nga policia nuk mund të gjesh një cep ku mos të ketë diçka që lidhet ngushtë me Juxhinin. I gjithë ambienti brenda banesës është i rrethuar nga foto të shumta të zmadhuara të 24-vjeçarit që i morën jetën në lule të rinisë. Sapo hyn në korridorin e shtëpisë së familjes Guza, sytë të shkojnë menjëherë tek një fotografi e tij. E gjithë shtëpia duket se është kthyer në një tempull kushtuar njeriut të tyre të dashur, birit dhe vëllait të shtrenjtë. Sendet e tij ruhen me fanatizëm nga familjarët, të cilëve nuk u janë tharë lotët për asnjë moment që nga ajo ditë tragjike e 13 shkurtit të një viti më parë. Dhoma e tij është ruajtur ashtu siç e ka lënë Juxhini. Në një intervistë për të përjavshmen “Dyrrah” babai i Juxhinit, Luani, tregon se si e ka përjetuar familja humbjen e djalit të vetëm të shtëpisë dhe si ka qenë ky vit pa Xhinon. I pikëlluar, por krenar për të birin, me plot gojën thotë se ka qenë viti më i vështirë për gjatë gjithë jetës së tij. Gjatë gjithë javës që sapo lamë pas në familjen Guza kanë hyrë e kanë dalë me dhjetëra të afërm, shokë, kolegë, të njohur të Juxhinit, por dhe të familjes së tij për të ngushëlluar të afërmit për 1 vjetorin e humbjes së djalit të tyre. Fakti që autorët që vranë Juxhinin ndodhen ende të lirë ua shton dyfish dimbjen dhe i mundon më shumë. Motra e Juxhinit thotë se ndihet krenare për të, ndërsa u shpreh se ndihet shumë e lumtur që vëllain e saj të dashur e respektojnë edhe pse ka kaluar një vit që nuk jeton më. Ndërsa në një bisedë që patëm me të atin e Juxhinit gjatë kohës që zhvillohej aktiviteti “Kupa Juxhin Guza” ai shprehu habi për faktin që nuk janë vënë përpara drejtësisë autorët që i morën jetën djalit të tij.

Ka kaluar një vit që Juxhini është ndarë nga jeta. Si ka qenë ky vit për familjen tuaj pa Xhinin?

Ky vit ka qenë viti më i vështirë jo vetëm për mua, por dhe për gruan dhe vajzën time. Kemi kaluar një perjudhë mjaft të vështirë, pasi kemi humbur njeriun më të shtrenjtë. Sigurisht që Xhini na ka munguar jashtë mase. Nuk ka ditë apo orë të mos e kujtojmë atë, ndërkohë që do të vazhdojmë ta mbajmë në zemër dhe ta kujtojmë derisa të jemi gjallë. Xhini do të qëndrojë në zemrat tona përjetë.

Kam vënë re se në çdo cep të shtëpisë suaj gjendet një foto e Juxhinit…. 

Po është shumë e vërtetë. Në shtëpi ndodhen me qindra foto të Xhinit, të cilat i kemi vendosur ku të mundemi. Kur e shikojmë në fotografi na duket sikur e kemi më afër.

Personat që i shkaktuan vdekjen janë ende të lirë. Çfarë ju kanë thënë në polici?

Nuk di të them! Na thonë që po vijojnë kërkime, por deri më tani nuk kemi asnjë lajm të gëzueshëm për identifikimin dhe kapjen e tyre. Fakti që autorët që vranë Juxhinin shëtisin të lirë, na e shton dyfish dhimbjen. Është e çuditshme. Ngjarja ka një vit që ka ndodhur dhe autorët nuk janë vënë ende përpara drejtësisë. Nuk di pse autoritetet përgjegjëse po e trajtojnë kështu këtë ngjarje. Këtu në Shqipëri nuk ka drejtësi! Edhe mjekët të cilët ishin shkaktarët kryesorë të vdekjes së Juxhinit tashmë janë të lirë. Kjo është vërtetë e patolerueshme. Në këtë vend nuk funksionon asgjë dhe nuk ka drejtësi. Nuk mund të gjejmë qetësi pa u vënë përpara drejtësisë personat që i morën jetën Juxhinit.

Këtu në Shqipëri nuk ka drejtësi! Edhe mjekët të cilët ishin shkaktarët kryesorë të vdekjes së Juxhinit tashmë janë të lirë. Kjo është vërtetë e patolerueshme. Nuk mund të gjejmë qetësi pa u vënë përpara drejtësisë personat që i morën jetën Juxhinit

Në nder të Juxhinit u zhvillua dhe një aktivitet “Kupa Juxhin Guza”. Si ndiheni me vlerësimin që i bëhet djalit tuaj?

Sigurisht ndihem shumë krenar për të dhe më vjen shumë mirë që shikoj njerëz që edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga vdekja e tij, vazhdojnë ta respektojnë. Gjithashtu më vjen shumë mirë që shikoj që skuadrat që marrin pjesë në këtë aktivitet po luajnë me të gjitha forcat për ta fituar këtë trofe, dhe ky fakt më bënë të jem krenar për djalin tim, pasi konstatoj se sa shumë e respektojnë edhe tani që nuk është më mes nesh.

Ngjarja

Vojlebollisti Juxhin Guza u vra 13 shtatorin e vitit të shkuar në lagjen Nr 5 pranë pallatit ku banonte ai dhe familja e tij gjatë një tentative për t’i vjedhur varësen e floririt që mbante në qafë. Krimi ka ndodhur në shkallët e pallatit ku jeton familja Guza në lagjen numër 5 të qytetit. Familjarët janë munduar t’i japin ndihmën e parë, por ndonëse kanë mbërritur në kohë rekord në spital i riu 24 vjeçar nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në pjesë të ndryshme të trupit. Familjarët akuzuan në atë kohë doktorët për vdekjen e Juxhinit, pasi sipas tyre ai ka mbërritur në gjendje të mirë dhe gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar vëtëm për shkak të neglizhencës që treguan bluzat e bardha. Guza ka ndërruar jetë në sallën e reanimacionit në spitalin civil të Durrësit rreth 18 orë pasi ishte masakruar me thikë. Policia e Durrësit ka shoqëruar me dhjetëra persona në ambientet e saj, por pa mundur t’i të identifikojë autorët e vrasjes së volejbollistit. Provat materiale të sekuestruara në vendin e ngjarjes janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme.