Ribashkimi i dy bashkëshortëve nuk është pritur mirë nga babai i djalit, i cili për mëse tri orë me rradhë kërcënonte të birin se do ta vriste, nëse sillte dhe një herë në shtëpi nusen. Policisë dhe forcave Renea u është dashur rreth tri orë negociata, derisa e bindën 49 vjeçarin Flamur Smoqi të dorëzohej.
Një krim brenda familjes për motive të dobëta është parandaluar nga policia e Durrësit në bashkëpunim me forcat e RENEA-s. Ngjarja, që vetëm fatmirësisht nuk mori një rrjedhë tjetër, u regjistrua paraditen e së premtes në fshatin Kënetë të Komunës Gjepalaj – Durrës, kur Flamur Smoqi, 49 vjeç, kërcënoi se do të vriste djalin e tij, nëse ai do t’i afrohej banesës, në të cilën jetonin.
Shkak për kërcënimin, sipas policisë është bërë gjendja e rënduar psikologjike, e shkaktuar nga divorci i të birit. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, zanafilla e ngjarjes ka qenë martesa e djalit të 49-vjeçarit. 25-vjeçari ishte divorcuar nga bashkëshortja, ndërsa pak ditë më parë kishte marrë vendimin për t’u ribashkuar sërish me të.
Duket se kjo gjë e ka irrituar 49-vjeçarin, i cili pas debatit familjar të krijuar po atë ditë ka rrëmbyer automatikun që mbante pa leje, me qëllim për të vrarë djalin e tij. Në pamundësi për të kontrolluar inatin e kryefamiljarit, anëtarët e tjerë të familjes janë larguar me shpejtësi nga banesa. Kanë qenë ata që kanë lajmëruar djalin e Smoqit të mos afrohej dhe njëkohësisht kanë njoftuar forcat e rendit, që nuk kanë humbur kohë të ishin të pranishëm në vendngjarje.
Efektivët e rendit, pasi kanë konstatuar rrezikshmërinë që paraqiste Smoqi, kanë njoftuar edhe forcat RENEA. Gjatë kohës që policia negocionte për dorëzimin e tij Smoqi qëndronte i armatosur në oborrin e shtëpisë dhe herë pas here telefononte djalin, të cilit i kërkonte të afrohej në banesë, me qëllim ekzekutimin e tij.
Burime nga vendngjarje deklaruan se Smoqi nuk dorëzohej duke deklaruar se do të vriste djalin e tij sapo të shkelte në banesë. Pasi kanë arritur të bindin autorin të dorëzohej, policia ka bërë në mënyrë të menjëhershme, ndalimin e tij dhe shoqërimin për në komisariatin e policisë së Shijakut ku dhe do të përballet me akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, si dhe “vrasjes së mbetur në tentativë”.
Mësohet se në komisariat Flamur Smoqi u ka treguar oficerëve të policisë shkakun që e detyroi të kërcënonte djalin e tij me vrasje. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën tip automatik kallashnikov, me të cilën Smoqi kërcënoi se do të vriste djalin.